
ITALI- Stefano Addeo, profesori 65-vjeçar i cili ditët e fundit kishte përfunduar në qendër të një polemike të dhunshme për një postim të publikuar në rrjetet sociale kundër vajzës së kryeministrit Giorgia Meloni, tani është shtruar në spital në gjendje të rëndë. I kontaktuar në telefon nga Corriere, Addeo dukej i lodhur, por gjithsesi komentoi atë që kishte ndodhur për mediat italiane.
"Nuk munda ta duroja më. Po më bëjnë shpëlarje, por shpresoj të mos më shpëtojnë. Reagimet ndaj këtij incidenti kanë qenë më të dhunshme nga sa mund ta kisha imagjinuar,"-tha ai.
65-vjeçari tentoi vetëvrasje duke gëlltitur një kombinim pilulash dhe alkooli. Edhe pse mbërriti në gjendje të rëndë në spital, jeta e tij nuk është në rrezik. Përpara se ta konsumonte "përzierjen" e rrezikshme, Addeo paralajmëroi drejtoreshën e shkollës ku jep mësim, e cila menjëherë njoftoi Policinë, që nxitoi në shtëpinë e profesorit. Kështu, ai u shpëtua në kohë.
Çfarë shkroi profesori?
Në rrjetet sociale, ai shkroi: I uroj vajzës së Melonit fatin e vajzës nga Afragola! Referenca ishte për Martina Carbonaro, 14-vjeçaren e vrarë me gurë nga ish-i dashuri i saj në provincën e Napolit.
"Nuk e shkrova personalisht postimin por u gjenerua nga inteligjenca artificiale. Mendja ime nuk do të kishte qenë në gjendje të lindte një turp të tillë. I kërkova ChatGPT: Më shkruaj një mesazh kundër Melonit, dhe ja çfarë doli. Unë, e publikova,"-tha ai për mediat italiane, pasi u zbulua identiteti i tij. Megjithatë justifikimi nuk e ndaloi indinjatën e krijuar. Mësuesi ka jetuar në izolim në shtëpi për ditë të tëra, i shënjestruar nga mesazhe urrejtjeje, kërcënime dhe fyerje.
Sot paradite i shkroi edhe një letër ndjese kryeministres Meloni.
"Ju kërkoj, nëse është e mundur, të më takoni që t'ju them këtë duke ju parë në sy,"-ky është një nga fragmentet qendrore të letrës që Profesor Stefano Addeo i shkroi Kryeministres, Giorgia Meloni./ZËRI