Bota

Marrëveshja për emigrantët me Shqipërinë/ Italia përplaset me Gjykatën e BE-së për ‘vendet e sigurta’: Ndërhyrje në sovranitetin kombëtar

Vendimi i Gjykatës së BE-së vjen pas një çështjeje të ngritur nga Gjykata e Romës lidhur me dy azilkërkues nga Bangladeshi, të cilët u përfshinë në një procedurë të përshpejtuar dhe u refuzuan, pasi Bangladeshi ishte shpallur vend i sigurt. Ata u dërguan në një qendër pritjeje në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për trajtimin e migrantëve jashtë territorit italian.

l.k
Marrëveshja për emigrantët me Shqipërinë/ Italia
Foto ilustruese

ITALI- Qeveria italiane ka reaguar me tone të ashpra pas një vendimi të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, që kërkon kontroll më të rreptë gjyqësor mbi mënyrën se si vendet anëtare shpallin "vendet e sigurta të origjinës" për emigrantët.

Në një deklaratë të publikuar nga Palazzo Chigi dhe e shpërndarë nga kryeministrja Giorgia Meloni, vendimi u cilësua si një tjetër shembull i “uzurpimit të kompetencave politike nga ana e drejtësisë evropiane”. Sipas ekzekutivit italian, ky vendim cenon seriozisht sovranitetin kombëtar dhe përbën një ndërhyrje të papranueshme në vendimmarrjen politike të një shteti.

“Sërish gjyqësori, kësaj here ai evropian, pretendon hapësira që nuk i përkasin, për çështje që janë ekskluzivisht politike,” thuhet në deklaratë. Qeveria shpreh shqetësim se vendimi i Luksemburgut u jep gjyqtarëve të thjeshtë kombëtarë fuqinë për të ndërhyrë në sektorë të tërë të politikës së emigracionit, siç është përcaktimi i listës së vendeve të sigurta, një kompetencë që tradicionalisht i takon ekzekutivit dhe parlamentit.

Sipas Romës zyrtare, vendimi i Gjykatës bie ndesh me realitetin e presionit të lartë të migrimit dhe dobëson politikat për kontrollin e emigracionit të paligjshëm dhe mbrojtjen e kufijve. Veçanërisht kritikohet fakti që vendimi mund të mbështetet “madje edhe mbi burime private”, në vend të analizave zyrtare të institucioneve shtetërore.

Vendimi i Gjykatës së BE-së vjen pas një çështjeje të ngritur nga Gjykata e Romës lidhur me dy azilkërkues nga Bangladeshi, të cilët u përfshinë në një procedurë të përshpejtuar dhe u refuzuan, pasi Bangladeshi ishte shpallur vend i sigurt. Ata u dërguan në një qendër pritjeje në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për trajtimin e migrantëve jashtë territorit italian. Gjykata evropiane vendosi se një vend nuk mund të konsiderohet i sigurt vetëm mbi bazën e një ligji qeveritar, nëse mungojnë të dhëna të qarta dhe të kontrollueshme.

Megjithë këtë vendim, qeveria italiane nuk ka ndërmend të ndryshojë kurs. Në deklaratë theksohet se “për dhjetë muajt që na ndajnë nga hyrja në fuqi e Paktit të ri Evropian për Migracionin dhe Azilin, qeveria nuk do të ndalet së kërkuari çdo zgjidhje teknike dhe ligjore për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve italianë”.

Në fund, ekzekutivi italian e cilëson “të çuditshme” që një vendim i tillë është marrë në prag të hyrjes në fuqi të rregullave të reja të BE-së për migracionin, të cilat vetë parashikojnë kritere më të rrepta për vendet e sigurta./ ZËRI/

Poll

MOS HUMB