Bota

Mbahet ceremonia/ Osmanit i përfundoi mandati, i kalon postin kryeparlamentares Albulena Haxhiu: Kreu i ri i Shtetit të zgjidhet sa më shpejt!

Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës u mbajt në Kabinetin e Presidentes sot në orën 16:00.

I.F
Mbahet ceremonia/ Osmanit i përfundoi mandati, i kalon postin
Albulena Haxhiu dhe Vjosa Osmani

PRISHTINË- Detyra e Presidentit të Kosovës i ka kaluar kryeparlamentares Albulena Haxhiu, pasi Vjosa Osmanit i përfundoi sot mandati. Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës u mbajt në Kabinetin e Presidentes sot në orën 16:00.

Osmani gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës shprehet se ky ka qenë një rrugëtim, ku u punua për më të mirën e qytetarëve. Ndër të tjera, ajo shtoi se është e lumtur që këtë post po ia dorëzon një gruaje. Në fund të fjalës së saj, Osmani shtoi se shpreson që Presidenti i vendit të zgjidhet sa më shpejt.

“Gjithnjë ka qenë një nga dëshirat e mia të mëdha që kurdo që dal nga kjo zyrë ta lë një grua mbrapa. Kjo dëshirë sot po më plotësohet dhe shpresoj shumë që siç thotë populli ta ngrehni këmbën zhag edhe ju që pas jush të jetë një grua në këtë zyrë. Me besimin e plotë që gratë gjithmonë tregojnë kujdes të veçantë ndaj institucioneve dhe ndaj çdo qytetari të Republikës. Në emër edhe të gjithë bashkëpunëtorëve këtu në Presidencë dhe shumë të tjerë që s’janë këtu tash për momentin, ju dëshiroj shumë suksese për gjatë kohës sa do të qëndroni këtu si ushtruese e detyrës. S’do të jetë punë e lehtë. Shpresojmë shumë që Kuvendi sa më parë ta zgjedhë presidentin apo presidenten e re me shpresën që të kemi stabilitet institucional në një kohë kur jo vetëm shteti jonë dhe rajoni ynë, por e gjithë bota po kalon kriza të mëdha”, tha Osmani.

Sipas Kushtetutës së  Republikës së Kosovës, kryeparlamentari ushtron detyrën e përkohshme të Presidentit, duke garantuar vazhdimësinë institucionale, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri.

Në seancën e fundit, më 5 mars, në Kuvendin e Kosovës nuk u arrit një konsensus mes palëve për zgjedhjen e presidentit. Të nesërmen, Vjosa Osmani, me anë të një vendimi, shpërndau Kuvendin, pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri, duke synuar të thërrasë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Dekreti i Osmanit shkoi në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Vetëvendosje, që udhëheq vendin. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u mor më 25 mars 2026, kur kjo gjykatë vendosi se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka efekt juridik dhe rivendosi afatin për zgjedhjen e presidentit, duke i dhënë ligjvënësve 34 ditë kohë për të zgjedhur kreun e shtetit.

Presidentja Osmani ishte zgjedhur më 4 prill 2021, me 71 vota pro në raundin e tretë të votimit, pasi në raundin e parë dhe të dytë nuk kishte arritur shumicën e kërkuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB