Bota

Mediat italiane: Papa Françesku pushoi i qetë gjatë natës

Pas dy krizave të frymëmarrjes që pësoi të hënën, Papa la kolltukun ku pushonte zakonisht gjatë ditës dhe u shtri në krevat ku iu nënshtrua një terapie oksigjeni me rrjedhje të lartë përmes hundës.

k.m.
Mediat italiane: Papa Françesku pushoi i qetë gjatë natës
Papa Françesku

ITALI- Papa Françesku pushoi mirë gjatë natës. Kështu kanë raportuar mediat italiane, duke zbuluar se sot Papa ishte zgjuar pak pas orës 8 të mëngjesit. Sipas "TG", e marta që lamë pas ishte një ditë e qëndrueshme për Papa Françeskun. Pas dy krizave të frymëmarrjes që pësoi të hënën, Papa la kolltukun ku pushonte zakonisht gjatë ditës dhe u shtri në krevat ku iu nënshtrua një terapie oksigjeni me rrjedhje të lartë përmes hundës.

Në luhatjen tashmë të përditshme të shëndetit të Papa Françeskut, e marta ishte një ditë pauzë, por situata është ende komplekse. Mjekët e spitalit "Gemelli" në Romë theksojnë se Papa ende nuk është jashtë rrezikut për jetën. Madje edhe krizat që përjetoi të hënën dhe dy herët e mëparshme nuk ishin të papritura nga mjekët. Ato janë pjesë e evolucionit të kësaj pneumonie të trajtuara me të njëjtat terapi për ditë të tëra, por mbetet për t'u kuptuar se cili është efekti që krizat do të kenë në shëndetin e Papës. Për shkak se ende nuk ka zhvillime domethënëse, ende nuk është caktuar një konferencë e re për shtyp e mjekëve.

Prej ditës kur u shtrua në spital, nuk është publikuar asnëj foto rreth Papës, gjithashtu edhe Arqipeshkvi Vincenzo Paglia ka kërkuar që ai të rikuperohet në paqe dhe jashtë syrit të publikut. Jashtë spitalit “Gemelli” në Romë, besimtarë të shumtë mblidhen ku luten për shëndetin e Atit të Shenjtë. Ata kanë lënë mesazhe të shkruara për të, ku nuk mungojnë as vizatime nga fëmijët. Dy vitet e fundit, Papa ka pasur disa probleme shëndetësore, ku është shtruar disa herë në spital. Për shkak se ka hequr një pjesë të mushkërive në rini, ai është i prirur ndaj infeksioneve në rrugët e frymëmarrjes./ZËRI

Poll

MOS HUMB