Bota

Ndërkombëtarët urojnë Ramën/ Zelenskyy: Fitore bindëse! Von der Leyen: Mezi pres të të takoj

Pas fitores së zgjedhjeve, kryesocialisti Edi Rama ka marrë një mesazh urimi Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyn.

F.I
Ndërkombëtarët urojnë Ramën/ Zelenskyy: Fitore
Edi Rama me liderët ndërkombëtarë

TIRANË-Pas rezutateve të zgjedhjeve të 11 Majit, ku Partia Socialiste fitoi mandatin e katërt, liderët e vendeve të BE-së dhe jo vetëm kanë uruar kryeministrin Edi Rama.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy ka uruar Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për fitoren e zgjedhjeve të 11 Majit.

"Urime për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për fitoren bindëse në zgjedhje. Ju uroj sukses në shërbim të popullit shqiptar. E vlerësojmë shumë qëndrimin tuaj të qartë dhe të palëkundur mbi nevojën për paqe të qëndrueshme për Ukrainën, e cila mund të arrihet vetëm përmes një armëpushimi të plotë dhe të pakushtëzuar. Mezi pres të forcojmë edhe më tej marrëdhëniet miqësore mes vendeve tona, për të mirën e të dy kombeve tona.”, shkruan Zelenskyy.

Pas fitores së zgjedhjeve, kryesocialisti Edi Rama ka marrë një mesazh urimi Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyn. Përmes një postimi në rrjete sociale, zyrtarja e lartë europian e ka përgëzuar Ramën për rezultatin zgjedhor dhe ka vlerësuar progresin që Shqipëria ka bërë nën drejtimin e tij në rrugën drejt integrimit europian.

"Urime për fitoren në zgjedhje! Nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria ka bërë përparime të mëdha drejt Bashkimit tonë. Le të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku për reformat drejt BE-së. Shqipëria e meriton të jetë në BE! Me padurim pres t’ju uroj personalisht nesër në Tiranë", shkruan ajo.

Fitorja e zgjedhjeve në Shqipëri nga Partia Socialiste është uruar edhe nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

“Urime Edi Rama, për fitoren bindëse të Partisë Socialiste në zgjedhje. Shqiptarët mbështesin në masë dërrmuese përpjekjet për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian”, shkruan ai në postimin e llogarisë personale në rrjetin social X.

Kryeministri britanik Keir Starmer ka uruar gjithashtu kryeministrin Edi Rama për fitoren e mandatit të katërt qeverisës duke e cilësuar historike.

“Urime @ediramaal për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë për të sjellë rezultate për njerëzit që punojnë në të dy vendet tona”,- uron kryeministri britanik.

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, në një postim në rrjetin social X, i uron triumfin Ramës, ndërsa shkruan se mezi pret që të takohen të premten në samitin e Komunitetit Politik Evropian më 16 maj në Tiranë. 

“Urime Kryeministrit @ediramaal për fitoren e tij bindëse në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë. I dashur Edi, mezi pres t'ju shoh këtë të premte në Tiranë në atë që mund të jetë një Samit historik i EPC-së”, shkruan Orban.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren. Me një mesazh në gjuhën shqipe, lideri francez i drejtohet Ramës si mik i dashur, ndërsa shton se vendi i tij do të jetë gjithmonë krah Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.  Ai thotë gjithashtu se mezi pret që të takohen në premten në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Tiranë

“Urime @ediramaal, mik i dashur, për fitoren tënde në zgjedhjet parlamentare. Franca do të jetë gjithmonë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Do të takohemi që të premten në Samitin e Komunitetit Politik Europian dhe për një vizitë që duhet të na lejojë të forcojmë edhe më shumë partneritetin tonë!”, shkruan Macron. 

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren e mandatit të katërt.

"Urimet më të ngrohta, i dashur Edi Rama, për këto rezultate mbresëlënëse zgjedhore. Pres me padurim t'ju përgëzoj personalisht nesër në Tiranë", shkroi Antonio Costa.

Poll

MOS HUMB