Kosovë- Ka ecur me ritme të shpejta procesi i numërimit të votave në Kosovë, pas zgjedhjeve që u mbajtën këtë të dielë.
Sipas rezultateve të publikuara deri më orën 20:39 nga Komisioni i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (VV) kryeson zgjedhjet me 49.67% të votave, duke grumbulluar 226,354 vota në nivel vendi.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.02% ose 91,217 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban pozitën e tretë me 14.12% të votave, përkatësisht 64,359 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 6.85% (31,206 vota).
Lista Serbe ka marrë 3.33% ose 15,186 vota.
Nisma Socialdemokrate renditet e fundit me 1.49% të votave, që përkthehen në 6,795 vota.
Sipas të dhënave, janë numëruar 469,898 vota, që përbëjnë rreth 23.50% të totalit të pritshëm apo mbi 55 për qind, ndërsa procesi i numërimit vazhdon. Mbetet për t’u parë nëse partia e Albin Kurtit do të mund të formojë apo jo qeverinë, pasi dështuan ta bënin këtë për muaj me radhë.
Kreu i KQZ në Kosovë Kreshnik Radoniqi tha se pjesëmarrja ishte më e lartë sot në zgjedhje sesa në shkurt.
Sipas tij, deri në orën 19:00, kanë votuar mbi 819 mijë qytetarë nga rreth 2 milionë të regjistruar me të drejtë vote, që përbën një pjesëmarrje prej 44.56 përqind.
Radoniqi u shpreh se procesi zgjedhor ka qenë i rregullt dhe nuk janë shënuar incidente, që mund të cënojnë integritetin e zgjedhjeve.“Procesi ka qenë i rregullt. Nuk janë shënuar incidente, që mund të dëmtojmë integritetin e zgjedhjeve”, tha ai gjatë deklaratës për media.