SHBA- Vendimi i Kanadasë për të njohur shtetin e Palestinës nuk është pritur mirë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Në një postim në rrjetet sociale, Trump dënoi vendimin e Kanadasë dhe la të kuptohej se kjo mund të ndikonte në negociatat me SHBA-në për një marrëveshje tregtare.
“Uau! Kanadaja sapo ka njoftuar se po mbështet shtetësinë për Palestinën. Kjo do ta bëjë shumë të vështirë për ne që të bëjmë një marrëveshje tregtare me ta. Oh, Kanada!!!”, shkroi ai në platformën e tij Truth Social.
Kërcënimi tregtar i Trump vjen një ditë para se të fillojnë tarifat më të larta për vendet pa një marrëveshje tregtare me SHBA-në. Kanadaja do të përballet me tarifa prej 35% për shumicën e mallrave që shet në SHBA nga e premtja (ora lokale), nëse nuk arrihet një marrëveshje para asaj kohe.
Presioni për të njohur zyrtarisht shtetësinë palestineze është rritur që kur Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi javën e kaluar se vendi i tij do të bëhet fuqia e parë e madhe perëndimore që njeh një shtet palestinez në shtator. Po ashtu, edhe kryeminstri britanik, Keir Starmer, njoftoi dje planin e Mbretërisë së Bashkuar për të njohur shtetin e Palestinës./ZËRI
