
VATIKAN-Papa Françesku ka dalë sot nga spitali “Gemelli” në Romë, pas 38 ditëve shtrim për shkak të pneumonisë bilaterale dhe infeksionit respirator polimikrobik. Fillimisht Papa u shfaq në ballkonin e spitalit, për të përshëndetur qindra besimtarë që ishin mbledhur për të pritur atë. Papa doli në një karrocë me rrota në ballkonin e Gemelli, i veshur me rrobën e tij të bardhë papale. Fillimisht ai përshëndeti besimtarët me dorë dhe më pas ishte në gjendje të thoshte disa fjalë.
"Faleminderit të gjithëve! Zoti, i cili punon me kujdes tokën e jetës sonë dhe pret me besim kthimin tonë tek Ai. Në këtë kohë të gjatë shtrimi në spital, kam pasur mundësinë të përjetoj durimin e Zotit, të cilin e shoh gjithashtu të reflektuar në kujdesin e palodhur të mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë, si dhe në vëmendjen dhe shpresat e familjeve të të sëmurëve. Jam i pikëlluar nga rifillimi i bombardimeve të rënda izraelite në Rripin e Gazës, me shumë të vdekur dhe të plagosur. Kërkoj që armët të heshtin menjëherë; dhe të kemi guximin të rifillojmë dialogun, në mënyrë që të gjithë pengjet të lirohen dhe të arrihet një armëpushim përfundimtar. se Armenia dhe Azerbajxhani kanë rënë dakord për tekstin përfundimtar të Marrëveshjes së Paqes, shpresoj se ajo do të nënshkruhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kështu mund të kontribuojë në vendosjen e paqes së qëndrueshme në Kaukazin jugor,"-u shpreh ai.
Mjekët konfirmuan se gjendja klinike e Papa Françeskut është e qëndrueshme prej dy javësh. Atij do t’i duhet të respektojë një periudhë pushimi dhe rikuperimi prej të paktën dy muajsh. Mjekët kanë rekomanduar reduktimin e pjesshëm të terapisë me antibiotikë oralë dhe pushim të plotë.
Me daljen nga spitali, agjenda e Papës pritet të ndryshojë ndjeshëm. Pjesëmarrja e tij në ritet e Pashkëve do të varet nga përparimi i shëndetit. Për udhëtimin e planifikuar në Turqi në fund të majit, mjekët shprehen se ende nuk ka siguri nëse mund të realizohet. Gjatë fazës së rikuperimit, Papa do të shmangë takimet me grupe të mëdha, pasi mund të jenë të rrezikshme për shëndetin e tij.
Papa Françesku u shtrua në spitalin Gemelli më 14 shkurt me një infeksion të rëndë respirator, i cili kërkonte trajtim të përshtatur vazhdimisht. Papa është veçanërisht i ndjeshëm ndaj pneumonisë, një infeksion i mushkërive që mund të shkaktohet nga bakteret, viruset ose kërpudhat, pasi ka vuajtur nga pleuriti - një inflamacion i mushkërive - si i ri dhe i është hequr një mushkëri e pjesshme./ZËRI