
VATIKAN- Papa i ri kardinali amerikan Robert Francis Prevost, i cili ka zgjedhur të quhet Papa Leone i XIV (14-të) mbajti fjalimin e tij të parë nga ballkoni për besimtarët që ishin mbledhur në sheshin “Shën Pjetrit” në Vatikan. Ai bëri thirrje për paqe dhe dashuri mes besimtarëve.
“Paqja qoftë me ju! Vëllezër dhe motra të dashura, kjo është përshëndetja e parë e Krishtit të ringjallur. Do të doja të ofroja një përshëndetje paqeje për të arritur familjet tuaja, të gjithë ju, kudo që të jeni. Paqja qoftë me ju! Zoti na do të gjithëve, pa kushte. Njerëzimi ka nevojë për Krishtin si një urë që Zoti dhe dashuria e tij ta arrijnë. Na ndihmoni dhe ndihmoni njëri-tjetrin, ndërtoni ura”, u shpreh Papa Leon.
Më tej, gjatë fjalimit, ai u shpreh se bota duhet të vijojë të ndjekë zërin e të ndjerit Papa Françeskut, duke i cilësuar atë si të fuqishëm dhe bekues. Po ashtu, Papa Leone falenderoi konklavën, të cilët e zgjodhën atë si pasues të Françeskut.
“Ne duhet të vazhdojmë të dëgjojmë zërin e dobët, por të fuqishëm të Papa Françeskut, që bekoi Romën dhe ka bekuar të gjithë botën, në mëngjes e ditën e Pashkëve. Ky mesazh thotë që Zoti ju do, Zoti ju do të gjithëve. E keqja nuk do prevalojë. Zoti ju do të gjithëve. Zoti është mes nesh. Bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Njerëzimi ka nevojë për dritën e Tij. Falenderoj të gjithë ata që më zgjodhën mua pasues të Papa Françeskut. Dua të bëj këtë falenderim të veçantë për Santa Maria”, shtoi ai.
Kardinali Protodeakoni Dominique Mamberti e shpalli atë në Lozhën e Bekimeve në Bazilikën e Shën Pjetrit, me formulën "Annuntio vobis gaudium magnum, habemus Papam". Ka kaluar shumë kohë që kur kemi pasur një papë me këtë emër: Leoni i fundit, Leo XIII, u zgjodh në 1878 dhe shërbeu deri në vdekjen e tij në 1903./ZËRI