
GJERMANI-Liderët e shtetve kanë dërguar ngushëllimet e tyre për Gjermaninë, pasi të paktën dy persona u vranë në një treg të Krishtlindjeve kur një makinë u përplas me turmën e njerëzve mbrëmjen e kaluar. Viktimë kanë mbetur një person i rritur dhe një fëmijë i vogël, ndërsa raportohet për dhjetëra të plagosur.
Sulmi ka shkaktuar reagime të mëdha. Ndërsa lajmi për sulmin u përhap, Elon Musk, miliarderi aleat me Presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, kritikoi Scholz dhe i bëri thirrje të jepte dorëheqjen.
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u shpreh i prekur thellë lidhur me mësymjen e një automjeti në tregun e Krishtlindjes në Magdeburg, që mendohet se mund të jetë një sulm. Steinmeier tërhoqi vëmendjen, se ende "nuk është zbardhur i gjithë sfondi i këtij akti të tmerrshëm."
"Gëzimi për festën e Krishtlindjes u pre. Me mendje jam pranë viktimave dhe të afërmve të tyre. Falenderoj të gjitha forcat e shpëtimit për angazhimin e tyre." -shkruan ai.
Presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh në platformën X mjaft i tronditur, dhe deklaroi se Franca ndan trishtimin me popullin gjerman.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen dënoi aktin "brutal dhe frikacak" dhe theksoi se "ky akt dhune duhet të hetohet dhe të dënohet ashpër.” Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha gjithashtu se ai kishte kontaktuar kancelarin Scholz dhe i kishte shprehur ngushëllimet e tij.
Arabia Saudite dënoi aktin në Magdeburg dhe shprehu solidaritetin e saj me Gjermaninë. Qeveria në Riad shpreh "solidaritetin e saj me popullin gjerman dhe familjet e viktimave” dhe thekson "refuzimin e dhunës”, deklaroi Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite në shërbimin online X.
Kryeministri i vendit tonë, Edi Rama ka reaguar lidhur me sulmin në Magdeburg të Gjermanisë, ku një makinë hyri në turmën në Tregun e Krishtlindjeve duke lënë pas dy viktima e dhjetëra të plagosur. Rama shkruan se është i tmerruar nga sulmi që mori jetë të pafajshme.
'Vërtet i tmerruar nga sulmi terrorist në Magdeburg, duke marrë jetë të pafajshme dhe duke plagosur shumë gjatë festimeve të Tregut të Krishtlindjeve. Shqipëria dënon ashpër këtë akt barbar dhe solidarizohet me Gjermaninë në këtë moment të dhimbshëm. Së bashku, ne mbetemi të bashkuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.'-shkruan ai në platformën X.
Autori, njëkohësisht drejtuesi i automjetit, nga Arabia Saudite, rreth 50 vjeç me profesion mjek, është arrestuar nga autoritetet. Makinën ai e kishte marrë me qira pak para se ta përdorte për sulmin vdekjeprurës. Gjatë kontrollit në automjet, autoritetet gjetën një valixhe të dyshimtë në sediljen e pasagjerit. Motivi i sulmit vijon të mbetet i paqartë. Një operacion policor u zhvillua gjithashtu në qytetin e Bernburgut, në jug të Magdeburgut, ku i dyshuari besohet të ketë jetuar./ZËRI