GREQI- Përplasje mes fermerëve dhe policisë në Hania, ku një automjet policie është përmbysur dhe një tjetër është dëmtuar nga gurët e hedhur. Në Heraklion, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë fermerët që tentuan të çanin bllokadën dhe të arrinin drejt aeroportit. Mjetet bujqësore kanë bërë të pakalueshëm autostradën BOAK pranë Heraklionit për trafikun që drejtohet drejt aeroportit.
Policia refuzoi kërkesën e fermerëve për një bllokadë tre-orëshe në aeroportin e Hanias, çka çoi në përpjekjet e tyre për të thyer vijën policore dhe përplasjet e mëvonshme.
Fermerët po shtojnë çdo ditë dhjetëra bllokada të ngritura në pika të ndryshme në të gjithë vendin, ndërsa protestat nisën sot edhe në Kretë, ku rreth mesditës së së hënës u shënuan incidente.
Aeroporti “Nikos Kazantzakis” në Heraklion është i mbyllur në të dyja hyrjet, me fermerë të ardhur me traktorë dhe mjete të tjera si pjesë e protestës së bujqve dhe blegtorëve. Në të njëjtën kohë, përplasje të ashpra mes fermerëve dhe policisë po zhvillohen edhe në Hania.
Gjatë incidenteve në Hania, fermerët përmbysën një automjet policie. Një furgon policie u dëmtua gjithashtu nga hedhja e gurëve dhe u desh të tërhiqej. Guret kanë mbuluar rrugët, siç duket qartë në fotot e bashkëngjitura.
Në rrugën Senetaki në Heraklion, policia ngriti një barrikadë, ndërsa fermerët dhe blegtorët deklaruan se do të shkonin drejt aeroportit me çdo kusht për ta bllokuar. Fermerët tentuan të çanin bllokadën policore. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës, duke shkaktuar përplasje. Situata mbetet e tensionuar, teksa fermerët po negociojnë me policinë duke kërkuar të lejohen të hyjnë në aeroport.
Mjetet bujqësore janë parkuar në autostradën BOAK, duke e bërë të pakalueshëm drejtimin Heraklion–aeroport.
Ndërkohë, përplasjet po vazhdojnë edhe jashtë aeroportit në Hania, ku fermerët po përpiqen ta bllokojnë atë dhe policia po u përgjigjet me gaz lotsjellës. Fermerët janë mbledhur në nyjën e Soudas në orën 12:00 të mesditës. Protestuesit mbërritën me mjetet e tyre në pikën e grumbullimit dhe më pas u drejtuan drejt aeroportit “I. Daskalogiannis”, të cilin tentuan ta bllokonin.
Megjithatë, policia, me një furgon dhe praninë e forcave speciale, bllokoi rrugën e aeroportit të Soudas (pas rrethrrotullimit Pazinos) për të mbajtur të lirë qasjen e aeroportit nga ana e Kampanit. Kur fermerët mbërritën te aeroporti, u bë një përpjekje për të komunikuar me policinë, duke kërkuar leje për një bllokadë paqësore tre-orëshe.
Kërkesa e tyre u refuzua nga policia, gjë që çoi protestuesit të tentonin thyerjen e kordonit dhe policinë të përgjigjej me gaz lotsjellës, duke shkaktuar përplasjet./ZËRI