
SHBA- Donald Trump është drejt shpalljes zyrtare si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por pa dalë mirë rezultati final, republikani mbajti fjalimin e tij të fitores nga Florida. Menjëherë pas fjalimit të tij, ku vetëshpalli fitoren me avantazh të thellë ndaj kundërshtares së tij demokrate, Kamala Harris, nisën edhe urimet. Liderë botërorë kanë nxitruar për të uruar Trump për rikthimin në Shtëpinë e Bardhë. I pari ishte Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë, i cili e cilësoi fitoren e republikanit si rikthimin më të madh në historinë politike të SHBA-ve. Pas tij reagime ka pasur nga e gjithë bota, madje dhe nga Shqipëria. Urimin e rastit e bëri kryeministri Edi Rama, i cili edhe ndau një foto nga zyra e tij ku tregonte se po e ndiqte live fjalimin e fitores së Trump.
ZËRI ka bërë një përmbledhje me urimet e të gjithë liderëve:
-
Donald Trump zgjidhet president, vjen reagimi i parë nga Rusia
6 Nëntor, 09:00
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte- Sapo urova Donald Trump për zgjedhjen e tij si President i Shteteve të Bashkuara. Udhëheqja e tij do të jetë përsëri çelësi për të mbajtur të fortë Aleancën tonë. Mezi pres të punoj me të sërish, për të avancuar paqen përmes fuqisë, përmes NATO-s
Hamas- Pretendimet e Donald Trump se ai do t’i japë fund luftërave në mbarë botën, shumë pak kohë pas marrjes së presidencës tashmë do të vihen në provë. Trump duhet të “mësojë” nga “gabimet” e Joe Biden, i cili ka mbështetur Izraelin në luftën e tij kundër Hamasit. Humbja e dukshme dërrmuese e demokratëve është çmimi natyror për “qëndrimin kriminal” të udhëheqjes së tyre në Gaza.
Kryeministri britanik, Keir Starmer- Mezi pres të punoj me ju në vitet e ardhshme. Si partner, ne duhet të mbrojmë vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe ndërrmarrjes. E di që raporti special mes dy shteteve tona do vazhdojë me të njëjtin prosperitet në të ardhmen
Kryeministri hungarez, Viktor Orban- Rikthimi më i madh në historinë politike amerikane. Urime presidentit Donald Trump për fitoren e jashtëzakonshme. Një fitore shumë e nevojshme për botën.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu- Të dashur Donald dhe Melania Trump, urime për rikthimin më të madh në histori! Kthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri për Amerikën dhe një riangazhim të fuqishëm ndaj aleancës së madhe midis Izraelit dhe Amerikës. Kjo është një fitore e madhe! Në miqësinë e vërtetë, Benjamin dhe Sara Netanyahu.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh urimet tona të përzemërta Donald Trump dhe JD Vance për zgjedhjen e tyre si President dhe Zëvendës President i Shteteve të Bashkuara. SHBA mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, liderin e botës së lirë!
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi- Pres me padurim të rinovojmë bashkëpunimin tonë për të forcuar më tej Partneritetin Gjithëpërfshirës Global dhe Strategjik Indi-SHBA. Së bashku, le të punojmë për përmirësimin e popullit tonë dhe për të promovuar paqen, stabilitetin dhe stabilitetin global dhe prosperitet
Shefja e BE-së Ursula von der Leyen- Ne jemi të lidhur nga një partneritet i vërtetë mes njerëzve tanë, duke bashkuar 800 milionë qytetarë. Pra, le të punojmë së bashku për një agjendë të fortë transatlantike që vazhdon të ofrojë për ta
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel- SHBA-të dhe BE-ja kanë një aleancë të qëndrueshme dhe një lidhje historike. Si aleatë dhe miq, BE-ja pret me padurim të vazhdojë bashkëpunimin tonë konstruktiv
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron- Urime President. Gati për të punuar së bashku siç bëmë për katër vjet. Me bindjet tuaja dhe të miat. Me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe prosperitet
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni- Në emrin tim dhe të qeverisë italiane, urimet e mia më të sinqerta për Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Italia dhe Shtetet e Bashkuara janë vende motra, të lidhura me një aleancë të fortë, vlera të përbashkëta dhe miqësi historike. Kjo është një marrëdhënie strategjike, të cilën jam i sigurt se tani do ta forcojmë edhe më shumë. Punë të mbarë President
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis- Urime Donald Trump. Greqia pret të thellojë më tej partneritetin strategjik midis dy vendeve tona dhe të punojë së bashku për çështje të rëndësishme rajonale dhe globale
Presidenti turk Recep Tajip Erdogan- Përgëzoj mikun tim Donald Trump, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara pas një beteje të madhe dhe u rizgjodh President i Shteteve të Bashkuara. Në këtë periudhë të re që do të fillojë me zgjedhjet e popullit amerikan, shpresoj që marrëdhëniet Turqi-SHBA të forcohen, të marrin fund krizat dhe luftërat rajonale dhe globale, veçanërisht çështja palestineze dhe lufta Rusi-Ukrainë; besoj se do të bëhen më shumë përpjekje për një botë më të drejtë. Shpresoj se zgjedhjet do të jenë të dobishme për popullin tonë mik dhe aleat në Shtetet e Bashkuara dhe për mbarë njerëzimin.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës- Ne do të vazhdojmë t’i qasemi dhe menaxhojmë marrëdhëniet Kinë-SHBA bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit reciprokisht të dobishëm.
Putin nuk ka ndërmend të përgëzojë Trump
Sky News raporton se Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, tha se Moska e njohu fitoren e Donald Trump në zgjedhjet amerikane, por shtoi se ai nuk ishte në dijeni të ndonjë plani të presidentit rus Vladimir Putin për ta uruar Trump. Mësohet se Peskov ka thënë gjithashtu se SHBA-të janë ende një vend armik në raport me Rusinë.
- Moska po i ndjek me vëmendje ngjarjet dhe po analizon deklaratat e politikanëve amerikanë - tha Peskov dhe shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivelin më të ulët historik.
Amerika votoi! Tek Republikanët ka nisur festa. Deri tani Trump ka siguruar 266 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t'u shpallur president. Kamala Harris ka marrë 219 vota elektorale. Pavarësisht se numërimi nuk ka përfunduar, Fox Neës ka projektuar se Trump fiton me 277 vota elektorale./ZËRI