
SARAJEVË- 'Interpol Sarajeva' ka lëshuar një fletëarrest ndërkombëtar për Milorad Dodik dhe Nenad Stevandiç. Të gjitha shtetet anëtare të Interpolit e kanë marrë këtë njoftim, por këto urdhërarreste nuk janë ende të vlefshme derisa të miratohen nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit. Për këtë çështje u shpreh edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, për shkak se Dodik është shtetas i Serbisë, por edhe presidenti, Aleksandër Vuçiç.
"Duke qenë se bëhet fjalë për shtetas serbë, Interpoli i Beogradit i dërgoi një notë proteste Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit. Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit konfirmoi marrjen e notës së protestës dhe deklaroi se do ta marrë në konsideratë dhe se do t'i informojë menjëherë autoritetet serbe për rezultatet pas shqyrtimit,"- tha Daçiç.
Ndërsa presidenti Vuçiç shtoi: I kemi dërguar një letër Interpolit dhe presim përgjigjen e tyre. Unë besoj se gjetja e një zgjidhje kompromisi është e vetmja zgjidhje e mundshme për Banja Lukën, Sarajevën dhe komunitetin ndërkombëtar. Nëse kjo nuk ndodh, ne jemi afër një fatkeqësie. Nuk shoh se ka vullnet dhe kam frikë nga një fatkeqësi, sepse kur lëshohet njoftimi i kuq i Interpolit sjell probleme me të cilat ballafaqohemi çdo ditë..
Eksperti ligjor dhe ambasadori i BiH në Gjermani Damir Arnaut shpjegoi se procedura për miratimin e një urdhër-arresti nga Interpol mund të zgjasë nga një deri në tre ditë. Gjykata e BeH ka kërkuar lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar për Milorad Dodik, që do të thotë se ai duhet të arrestohet dhe ekstradohet në Sarajevë nëse ai paraqitet në ndonjë nga vendet që bashkëpunojnë me Interpolin.
Një njoftim i kuq i Interpolit është informacion për të gjitha vendet se një person kërkohet për një vepër penale dhe se ai person duhet të gjendet. Kur ndodhet personi për të cilin është i kërkuar për t'u ekstraduar. Disa vende, si Serbia, nuk i ekstradojnë shtetasit e tyre.
Të hënën, Dodik kaloi kufirin në BiH për herë të parë që kur u lëshua një urdhër arresti për të, duke hapur mundësinë e lëshimit të një urdhër-arresti ndërkombëtar. Pas një qëndrimi të shkurtër në Serbi, ai u nis për në Izrael. Policia kufitare e BeH-së nuk e ndaloi kur po largohej nga vendi.
Çfarë thotë Dodik?
Dodik njoftoi dje "se ai do të kthehet paqësisht në Srpska javën e ardhshme, pasi të ketë përfunduar disa aktivitete të rëndësishme në Izrael." Aktualisht, ai po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit në Izrael. Largimi i Dodikut shkaktoi reagim të Policisë Kufitare në Bosnjë-Hercegovinë, pasi me urdhër të drejtorit Mirko Kupresakoviç nisi një hetim mbi mënyrën se si ai e ka kaluar kufirin shtetëror.
Gjykata e BeH urdhëroi paraburgimin dhe lëshoi një urdhër arresti për Dodikun, si dhe për kryeministrin e Republikës Srpska, Radovan Vishkoviç dhe kryetarin e Parlamentit të entitetit, Nenad Stevandiç. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues”. Urdhri nënkupton që çdo oficer policie në vend që i ndeshet duhet t’i arrestojë menjëherë.
Presidenti i Republikës Srpska u dënua më 26 shkurt me 1 vit burg dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar detyrën e presidenti për 6 vjet, pasi refuzoi të zbatonte direktivat e përfaqësuesit të lartë Christian Schmidt. Vendimi nuk është përfundimtar dhe Dodik mund ta apelojë atë. Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Srpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë.
Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Srpskas. Llukiç akuzohej për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve në Gazetën Zyrtare të Republikës Srpska./ZËRI