IRAN-Lufta në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar, me Iranin, i cili ka nisur sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave amerikane në Jordani, Kuvajt, Irak dhe Bahrein, pasi forcat amerikane rifilluan goditjet kundër Iranit të martën. Sulmet e Iranit vijnë pas paralajmërimit nga Presidenti Donald Trump i cili deklaroi se çdo hakmarrje do ta shihte Teheranin "të goditur shumë më rëndë".
“Ata do të goditen përsëri në një nivel shumë më të fortë dhe më të lartë, por nuk do të jetë sulmi më i madh nga të gjithë, që po pret në prag dhe, kur të mbarojë, do të ketë mbetur shumë pak nga Republika Islamike e Iranit!”,-u shpreh Trump.
Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) tha se sulmet e SHBA-së ndaj Iranit pasuan "sulme të tentuara së fundmi" nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e elitës së Iranit kundër anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe forcave amerikane në rajon. Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) tha se SHBA-të do të "pendohen" për sulmet.
Forcat e Armatosura Jordaneze thanë se kishin kapur 13 raketa balistike, 10 prej të cilave u shkatërruan, ndërsa tre ranë në zona të largëta. Nuk pati vdekje ose lëndime si pasojë e sulmit nga Irani. Ushtria e Kuvajtit tha se mbrojtja e saj ajrore po i përgjigjej sulmeve me raketa iraniane të mërkurën në mëngjes.
Disa shpërthime u raportuan gjithashtu në Bahrein pas sulmeve nga Irani, sipas mediave shtetërore iraniane. Në rajonin autonom të Kurdistanit të Irakut, Garda Revolucionare e Iranit tha se kishte goditur bazat amerikane me raketa dhe dronë, duke shkatërruar një qendër mirëmbajtjeje, depo dhe pajisje, raportoi agjencia shtetërore IRNA.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk po përpiqet që ta ulë Iranin në tryezën e negociatave. Ndër të tjera ai theksoi se Hormuzi është nën kontrollin e tyre dhe ekonomia e Iranit po fundoset.
"Nuk po përpiqem ta detyroj Iranin të ulet në tryezën e negociatave. Nuk më intereson nëse ata nënshkruajnë një marrëveshje që nuk do të thotë asgjë për ta. Ne kemi kontroll pothuajse të plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe ekonomia e tyre po shembet. Ata thjesht po presin të pashmangshmen. Kur do të ngrihet populli iranian dhe do të luftojë?" shkroi Trump në Truth..