WASHINGTON- Shtëpia e Bardhë deklaroi se ushtria amerikane po harton opsione shtesë për të mbajtur të hapur ngushticën e Hormuzit. Sekretarja e shtypit të SHBA-së, Karoline Leavitt tha se Donald Trump është i përkushtuar për të lejuar rrjedhën e lirë të naftës përmes ngushticës së Hormuzit dhe përsëriti se presidenti amerikan është ofruar që marina “të shoqërojë anijet cisternë kur është e nevojshme”.
“Ushtria amerikane po harton opsione shtesë pas direktivës së presidentit për të vazhduar mbajtjen e hapur të ngushticës së Hormuzit”, tha Leavitt.
Më tej, ajo pohoi gjithashtu se amerikanët do të shohin se çmimet e naftës dhe gazit do të bien me shpejtësi sapo objektivat e sigurisë kombëtare të ushtrisë amerikane të “arrihen plotësisht” në Iran.
“Rritja e fundit e çmimeve të naftës dhe gazit është e përkohshme dhe ky operacion do të rezultojë në çmime më të ulëta të gazit në planin afatgjatë”.
E pyetur se sa do të zgjasë lufta SHBA-Izrael kundër Iranit Leavitt u bëri jehonë komenteve të Donald Trump se lufta nuk do të përfundojë para "dorëzimit të plotë dhe të pakushtëzuar, pavarësisht nëse e Irani e pranon apo jo".
“Trump do të jetë ai që do të përcaktojë kur Irani nuk përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë”, shtoi ajo.
Ndërsa, bëhet me dije se SHBA-të i kanë kërkuar Izraelit të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit, raporton Axios, duke cituar tre burime të njohura me çështjen, duke shënuar herën e parë që SHBA-të kanë frenuar aleatin e tyre që kur ata hynë në luftë 11 ditë më parë.
Washingtoni dërgoi mesazhin në një nivel të lartë politik dhe te shefi i shtabit të IDF-së, Eyal Zamir, raporton Axios, duke cituar një zyrtar izraelit. Sipas raportit të Axios, administrata Trump dha tre arsye për kërkesën, duke përfshirë një qëllim për të bashkëpunuar me sektorin e naftës së Iranit pas luftës (siç ka bërë Trump me Venezuelën); frikën se sulmet do të dëmtonin qytetarët iranian; dhe shqetësimet se kjo mund të shkaktojë sulme masive hakmarrëse iraniane ndaj infrastrukturës energjetike në të gjitha shtetet e Gjirit.
Kjo vjen pasi, bombardimet e Izraelit në magazinat e karburantit mbuluan Teheranin - një qytet ku jetojnë rreth 10 milionë njerëz - me tym të zi toksik dhe shi acid gjatë fundjavës, duke ngritur paralajmërime urgjente shëndetësore për qytetarët iranianët. Irani i ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara që të dënojnë SHBA-në dhe Izraelin për një "krim të dukshëm mjedisor"./ZËRI