Bota

SHBA plan për të "marrë' Gazën! Bota i del kundër, Ambasadori palestinez: Ne kemi vetëm një atdhe

Dy shtetet kryesore të Bashkimit Evropian, Gjermania dhe Franca, kanë kundërshtuar idenë e presidentit amerikan, Donald Trump, për të marrë nën kontroll Gazën.

F.I
SHBA plan për të "marrë' Gazën! Bota i del
Benjamin Netanyahu dhe Donald Trump

SHBA-Presidenti Donald Trump u zotua të martën se Shtetet e Bashkuara do të merrnin përgjegjësinë e rindërtimit dhe stabilizimit të Rripit të Gazës pasi palestinezët të zhvendoseshin diku tjetër. Trump njoftoi zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Gaza në vendet fqinje, duke e quajtur Rripin e Gazës, “një zonë të shkatërruar”. Presidenti Trump njoftoi planin e tij të befasishëm, pa dhënë hollësi specifike, gjatë një konference të përbashkët për shtypin me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Por komentet e Trump për një “marrje” të mundshme të Gazës nga SHBA, janë kundërshtuar nga e gjithë bota.

Dy shtetet kryesore të Bashkimit Evropian, Gjermania dhe Franca, kanë kundërshtuar idenë e presidentit amerikan, Donald Trump, për të marrë nën kontroll Gazën. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë të mërkurën se Rripi i Gazës i përket palestinezëve dhe se dëbimi i tyre do të ishte i papranueshëm dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

“Popullsia civile e Gazës nuk duhet të dëbohet dhe Gaza nuk duhet të pushtohet ose ripopullohet përgjithmonë. Është e qartë se Gaza, ashtu si Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor, i përket palestinezëve. Ato përbëjnë bazën për një shtet të ardhshëm palestinez”, ka deklaruar Baerbock.

Edhe Franca ka hedhur poshtë të mërkurën komentet e presidentit Trump, duke thënë se kjo do të shkelte të drejtën ndërkombëtare dhe do të destabilizonte rajonin.

“Franca përsërit kundërshtimin e saj ndaj çdo zhvendosjeje të detyruar të popullsisë palestineze të Gazës, e cila do të përbënte një shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare, një sulm ndaj aspiratave legjitime të palestinezëve, por gjithashtu një pengesë e madhe për zgjidhjen me dy shtete dhe një faktor i madh destabilizues për partnerët tanë të ngushtë, Egjiptin dhe Jordaninë”, është deklarata zyrtare e ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës.

Idenë e Trump e kanë kundërshtuar edhe Kina me Turqinë.

“Kjo është një çështje e papranueshme. Është e gabuar edhe ta sjellësh atë për diskutim”, tha ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, për agjencinë zyrtare të lajmeve Anadolu.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, përsërit angazhimin e Britanisë për një zgjidhje me dy shtete.

“Ne duhet të shohim palestinezët të jetojnë dhe të përparojnë në vendlindjet e tyre në Gaza dhe Bregun Perëndimor,” u tha ai gazetarëve gjatë një vizite në Kiev.

Edhe në Rusi, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, deklaroi se paqja në Lindjen e Mesme sigurohet vetëm duke zbatuar një zgjidhje me dy shtete.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite tha se “refuzon çdo përpjekje për të zhvendosur palestinezët nga toka e tyre”.

Ideja e Donald Trump për të zhvendosur njerëzit në Gaza diku tjetër rrezikon “fshirjen e Palestinës”. Kështu deklaroi ambasadori i Palestinës në Mbretërinë e Bashkuar, Husam Zomlot, i cili shtoi se ishte i zhgënjyer nga qasja “e njëanshme” e Trump ndaj konfliktit.

“Nëse ata janë testuar përmes gjenocidit dhe ata kanë mbetur në shtëpinë e tyre, ajo shfaqje e njëanshme në Uashington nuk do të ndryshojë rrjedhën e historisë. Ne do të mbetemi aty. E ardhmja duhet të sjellë “të drejtat e patjetërsueshme të popullit palestinez” dhe “krijimin e një shteti të pavarur të Palestinës”. Nëse njerëzit nga Gaza do të shkojnë diku, ata do të kthehet në shtëpitë e tyre  brenda 48 zonave të pushtuara nga Izraeli në vitin 1948, askund tjetër. Ne kemi vetëm një atdhe dhe ajo është Palestina,"-u shpreh ai.

Lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë./ZËRI

Poll

MOS HUMB