KOSOVË- Një video-investigim i publikuar nga emisioni “Piranjat” ka shokuar publikun kosovar, duke pretenduar se drejtori i shkollës “Pjetër Bogdani” në Demjan të Gjakovës, Nazmi Pnishi, ka ngacmuar seksualisht një të mitur 17-vjeçare. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur brenda ambienteve të shkollës, gjë që ka rritur shqetësimin e qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile.
Rasti ka nxitur reagime të forta nga qytetarë dhe organizata, ndërkohë që Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës ka kritikuar mungesën e reagimit institucional nga niveli lokal dhe qendror, duke e cilësuar heshtjen e institucioneve si “bashkëfajësi”. Organizata ka theksuar gjithashtu se drejtori i akuzuar mburret me mbështetje politike, duke kërkuar largimin e tij të menjëhershëm nga sistemi arsimor dhe hetimin e rastit.
Në një deklaratë publike, organizata e ka cilësuar sjelljen e pretenduar të drejtorit si “akt të turpshëm dhe kriminal”, duke theksuar se askush që mban përgjegjësi për edukimin dhe sigurinë e nxënësve nuk duhet të abuzojë me pozitën e tij në dëm të fëmijëve.
“Heshtja e institucioneve është bashkëfajësi. Shkolla duhet të jetë vendi më i sigurtë për një fëmijë pas shtëpisë së tij. Nuk do të lejojmë që politika apo indiferenca institucionale të mbrojë predatorët. Kërkojmë drejtësi tani", thuhet në reagim e Rrjetit të Prindërve Edukues të Kosovës.
Përveç Rrjetit të Prindërve Edukues, edhe 'Activism Roots' dhe një grup organizatash të tjera kanë reaguar lidhur me këtë rast. Në reagimin publik, kërkohet nga institucinet kompetente që të zhvillojnë hetimet të plota e transparente, me qëllim garantimin e mbrojtjes së të miturve dhe vendosjen e drejtësisë.
REAGIM PUBLIK PËR RASTIN NË DEMJAN
Shprehim shqetësim për rastin e raportuar së fundmi në Demjan të Gjakovës, ku një person i angazhuar në institucion arsimor dyshohet për sjellje të papranueshme ndaj një të miture.
Institucionet arsimore duhet të jenë vende të sigurta për fëmijët dhe të rinjtë. Çdo dyshim apo rast që cenon sigurinë dhe integritetin e tyre duhet të trajtohet me seriozitet maksimal dhe pa kompromis.
Kërkojmë nga institucionet kompetente që të zhvillojnë hetime të plota, transparente dhe profesionale, duke garantuar mbrojtjen e të miturve dhe vendosjen e drejtësisë.
Po ashtu, konsiderojmë të domosdoshme forcimin e mekanizmave të raportimit, parandalimit dhe mbrojtjes së fëmijëve brenda institucioneve edukative, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten.
Siguria e fëmijëve duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore.
Activism Roots
Bethany Christian Services
Bonevet
IFK
KVRL
Medica Gjakova
Medica Kosova
OJQ Perspektiva
Roma in Action
Rrjeti Qeliza
SHE-RA
Shoqata e Gruas
Shtepia e Sigurtë
Shoqata e te Verberve - JAKOVA
Sporti shkollor Gjakovë
Një tjetër reagim ka ardhur nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Adrian Gjini, i cili dënon me ashpërsi aktin e rëndë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjini njofton se drejtori është pezulluar nga detyra.
Adrian Gjini, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Kryeministër, sqaron më tej se personi në fjalë, drejtori, nuk ka qenë pjesë e Aleancës që nga viti 2021.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin e papranueshëm dhe thellësisht të rëndë të shfaqur në emisionin investigativ "Piranjat". Siguria, dinjiteti dhe mbrojtja e fëmijëve tanë janë vija të kuqe të pakontestueshme për institucionet tona, mbi të cilat nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë asnjë kompromis.
Në emër të Komunës së Gjakovës dhe në emrin tim personal, distancohem plotësisht dhe pa asnjë rezervë nga ky individ dhe çdo veprim i tij i turpshëm, i cili bie ndesh me moralin njerëzor dhe misionin e shenjtë të arsimit. Personi në fjalë është pezulluar menjëherë nga pozita e drejtorit të shkollës sipas procedurave ligjore në fuqi, ndërsa komuna ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë bashkëpunim të plotë e të pakushtëzuar për organet e rendit dhe prokurorinë me qëllim që ky rast të marrë dënimin maksimal ligjor.
Dua të sqaroj opinionin publik se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të Aleancës që nga viti 2021. Megjithatë, si kandidat për Kryeministër dhe nënkryetar i Aleancës, kam kërkuar menjëherë konfirmimin zyrtar nga kryetari i Degës në Gjakovë, Flamur Fetahaj, për të siguruar se ky individ nuk ka asnjë lloj lidhjeje apo angazhimi me ne. Ky le të jetë një mesazh i prerë për secilin që tenton të keqpërdorë emrin dhe logon e Komunës apo të Aleancës për veprime të tilla të turpshme.
Dua të siguroj të gjithë qytetarët, prindërit dhe nxënësit se sistemi arsimor në Gjakovë do të mbetet një mjedis i sigurt për fëmijët tanë, dhe kushdo që tenton ta cenojë këtë siguri do të përballet me forcën më të rreptë të ligjit dhe me largim të menjëhershëm nga institucionet tona.
Faleminderit mediave për punën dhe institucioneve të sigurisë për bashkëpunimin!