KOSOVË- Sot janë bërë 5 vite nga arrestimi i ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, shprehet e vendosur për t'u mos u dorëzuar përballë kësaj padrejtësie historike. Organizita e UÇK-së thekson se në këto 5 vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan.
"Sot bëhen 5 vite nga arrestimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan.
Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike.", shkruhet në postim.
Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.
Hashim Thaçi- Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, pasi gjykatës i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara e njoftoi se e ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij dhe tre ish-bashkëluftëtarëve të tij.
Kadri Veseli- Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, më 5 nëntor bëri të ditur se kishte bërë të gjitha aranzhimet e nevojshme që vullnetarisht të udhëtonte drejt Hagës, pasi ishte njoftuar se ka aktakuzë të konfirmuar ndaj tij nga Dhomat e Specializuara.
Jakup Krasniqi- Jakup Krasniqi gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 4 nëntori i vitit 2020. Ai u paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, dhe për dallim nga Thaçi dhe Veseli, përveç se u deklarua i pafajshëm për aktakuzën, ai mbajti edhe një fjalim.
Rexhep Selimi- Aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Rexhep Selimi e ka cilësuar “të padrejtë” dhe është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat. Sikurse Krasniqi, edhe Selimi më 4 nëntor njoftoi se kishte marrë konfirmimin për aktakuzën dhe ishte nisur drejt Hagës./ZËRI