KOSOVË-Sot përfundon afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kur do të vazhdojë seanca konstituive e ndërprerë një ditë më parë. Në seancën e 6 gushtit deputetët bënë betimin e tyre, ndërsa kryeministri, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për bisedime.
Kurti ka qenë në bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por deri tani nuk ka pasur dakordësi.Ai u shpreh nga Kuvendi se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa ftoi në negociata edhe kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, si dhe drejtuesin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini.
Sipas Kurtit, nëse posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese dhe qeveria formohet nga shumica parlamentare, atëherë edhe zgjedhja e presidentit duhet të jetë një proces që kërkon bashkëpunimin dhe përgjegjësinë e përbashkët të partive kryesore politike, përfshirë PDK-në dhe AAK-në.
Sipas Kushtetueses, nga konstituimi i Kuvendit nis edhe periudha 60-ditore, gjatë së cilës deputetët e legjislaturës së re duhet të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon sërish në zgjedhje. Pikërisht, për shkak të mosarritjes së konsensusit mes partive muaj më parë, vendi mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor, të tretat brenda një viti e gjysmë. Partitë parlamentare kanë rreth 2 muaj për ta zgjedhur presidentin, ose vendi shkon sërish në zgjedhje./ZËRI