Bota

'Spektakël' për kamerat, analiza e BBC: Trump pritet me bujë e lajka në Kinë, por...sfida reale në tryezë

Trump u prit me përshëndetje dhe një bandë muzikore, e cila luajti himnin kombëtar të SHBA-së. Presidenti ndaloi dy herë për t'i përshëndetur nxënësit e shkollës që brohorisnin me flamuj kinezë dhe amerikanë.

zh.ll
'Spektakël' për kamerat, analiza e BBC: Trump pritet me
Donald Trump-Xi Jinping

KINË- Xi Jinping i bëri një pritje madhështore Donald Trump në ditën e parë të një vizite që mund të rivendosë lidhjet midis superfuqive rivale. Trump u prit me përshëndetje dhe një bandë muzikore, e cila luajti himnin kombëtar të SHBA-së. Presidenti ndaloi dy herë për t'i përshëndetur nxënësit e shkollës që brohorisnin me flamuj kinezë dhe amerikanë.

Ndërsa shtrëngoi duart me Xi-në, Trump iu drejtua duke i thënë se është një "udhëheqës i shkëlqyer". Ishte një ditë e jashtëzakonshme duke pasur parasysh se Trump ndërtoi profilin e tij politik duke folur ashpër ndaj Kinës. Në vitin 2020, ai pretendoi se Kina i kishte “mashtruar Shtetet e Bashkuara si askush më parë” dhe e përshkroi pandeminë Covid-19 si “virusin kinez”. Përpara se të kthehej në pushtet, ai u betua që do ta bënte Kinën të paguante, për dëmin e shkaktuar.

Në kulmin e luftës tregtare vitin e kaluar, të dyja palët kishin vendosur tarifa që kalonin masën 100% ndaj njëra-tjetrës. Më pas pasoi një armëpushim i brishtë, por një nga pyetjet kryesore nga kjo vizitë është nëse kjo do të zgjasë dhe çfarë marrëveshjeje do ta zëvendësojë atë? 

Pekini organizoi një spektakël për t'i bërë qefin Trumpin përpara çdo marrëveshjeje dhe për të thënë se dera e Kinës është e hapur për mysafirët. Megjithatë, menjëherë pas fillimit të bisedimeve, media shtetërore publikoi komentet e Xi duke e bërë të qartë se tensionet mbi Tajvanin mund të jenë sfiduese.

Por koreografia e kujdesshme nuk ishte vetëm për të mirën e Trump dhe 30 drejtuesve ekzekutivë që e shoqëruan atë. Ishte gjithashtu një shfaqje force, të cilën Pekini e di se do të transmetohet drejtpërdrejt në të gjithë SHBA-në dhe botën.

"Po shohim një ndryshim historik. Hezitoj t'i jap shumë rëndësi këtij samiti specifik, por ngritja e pandalshme e Kinës në një vend ku po rivalizon në mënyrë legjitime SHBA-në - kjo po ndodh tani para syve tanë. Pekini tani është kryeqyteti i dytë botëror," thotë John Delury, një bashkëpunëtor i lartë nga Qendra për Marrëdhëniet SHBA-Kinë në Shoqërinë e Azisë.

Një shfaqje për të gjithë

Presidenti Xi ka qenë i etur ta portretizojë veten si një udhëheqës të qëndrueshëm global në kontrast me një president të paqëndrueshëm të SHBA-së. Duke pasur parasysh madhësinë e ekonomisë së Kinës, një numër udhëheqësish botërorë, përfshirë ata nga aleatët e SHBA-së si Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, janë shfaqur, të etur për të arritur një marrëveshje me Pekinin.

Tregtia e Kinës me pjesën tjetër të botës është zgjeruar që nga mandati i parë i Trump, ndërsa vendi përgatitej pikërisht për atë që ai paralajmëroi: më shumë tarifa. Vitin e kaluar, ajo tregoi fuqinë e saj ekonomike dhe diplomatike, duke iu përgjigjur Trump me tarifa dhe duke kufizuar eksportin e mineraleve të rralla thelbësore për prodhimin e përparuar. 

Xi do të besojë se u ka treguar SHBA-së dhe botës se sa të varura janë nga prodhimi dhe teknologjia kineze. Kina tani prodhon një të tretën e mallrave botërore, përpunon më shumë se 90% të mineraleve të saj të rralla të tokës dhe prodhon rreth 60 deri në 80% të të gjitha paneleve diellore, turbinave me erë dhe automjeteve elektrike.

Irani si një mjet negociues

Kina me siguri do të ndiejë se ka epërsinë në këto bisedime, ndërsa Xi përballet me një Trump të dobësuar nga lufta kundër Iranit. Ngushtica e bllokuar e Hormuzit ka tronditur ekonominë globale dhe Trump pritet të kërkojë ndihmën e Pekinit për të hapur korridorin detar.

Pekini dhe Teherani kanë një marrëdhënie që daton dekada më parë dhe Kina është partneri më i madh tregtar i Iranit. Nëse Xi ndihmon në shtyrjen e Teheranit drejt tryezës së negociatave, kjo mund t'i japë atij edhe më shumë ndikim.

"Është në interesin e tyre ta zgjidhin këtë. Dhe shpresojmë t'i bindim ata të luajnë një rol më aktiv," tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, për Fox Neës para udhëtimit.

Por Kina do të kërkojë diçka në këmbim.

Sipas mediave shtetërore kineze, Xi e ka paralajmëruar Trumpin gjatë bisedimeve të tyre se çështja e Tajvanit mund t’i çojë të dy vendet në konflikt.

Ai mund të ushtrojë presion mbi SHBA-në që të vonojë ose të ndalojë shitjet e armëve në Tajvan, megjithëse Uashingtoni është i detyruar ligjërisht t'i ofrojë ishullit mjetet për të mbrojtur veten. Megjithatë, zyrtarët në Taipei do ta ndjekin këtë samit me nervozizëm.

Kur gazetarët i pyetën të dy udhëheqësit në Tempullin e Qiellit nëse kishin diskutuar për Tajvanin, asnjëri nuk iu përgjigj pyetjes.

Ndryshe nga hera e fundit, kur Melania Trump shoqëroi bashkëshortin e saj, kjo është një vizitë shumë e ndryshme. Duket se fokusi është te delegacioni i biznesit, i cili përfshinte Elon Musk, Tim Cook dhe shefin e prodhuesit të çipave Nvidia, Jensen Huang. Të gjithë ishin të pranishëm në banket.

Trump do të dëshirojë që ky delegacion të zërë vendin qendror, ndërsa ai bën thirrje që Kina t’u hapë dyert më shumë firmave amerikane.

Se sa do të arrijë e gjithë kjo në terma të një marrëveshjeje është ende e paqartë sepse nuk janë publikuar detaje. Deklarata e Shtëpisë së Bardhë tha vetëm se të dyja palët "diskutuan mënyrat për të rritur bashkëpunimin ekonomik", duke përfshirë zgjerimin e aksesit të firmave amerikane në tregun kinez dhe investimet kineze në industritë amerikane.

Lidhur me Iranin, shtoi se “të dy vendet ranë dakord që Irani nuk mund të ketë kurrë një armë bërthamore” dhe se “ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur për të mbështetur rrjedhën e lirë të energjisë”.

Çfarë vjen më pas?

E premtja, kur dy udhëheqësit do të takohen përsëri, mund të japë më shumë detaje.

Trump do të dëshirojë një fitore për ta shitur në shtëpi, ndërsa vlerësimet e miratimit të tij vazhdojnë të bien.

Xi ka thënë se të dyja palët duhet të zgjerojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fusha të tilla si tregtia dhe bujqësia - një sinjal ndoshta se Kina është e gatshme të blejë më shumë sojë, mish viçi dhe avionë Boeing amerikanë.

Të dy udhëheqësit kanë rënë dakord gjithashtu ta përkufizojnë marrëdhënien e tyre si "konstruktive, strategjike dhe të qëndrueshme" në një pozicionim të ri që do të udhëheqë lidhjet për tre vitet e ardhshme.

Kina po përballet me sfida serioze ekonomike nga rritja e papunësisë, rritja e pabarabartë, një krizë e pasurive të paluajtshme dhe nivele jashtëzakonisht të larta të borxhit të qeverive lokale.

Pra, Pekini mund të mos dëshirojë një botë me Uashingtonin në qendër të fuqisë globale, por duhet të gjejë një mënyrë për t'u marrë vesh me SHBA-në.

Dhe ky ishte mesazhi që të dy udhëheqësit duket se po dërgonin sonte në banket.

I kënaqur me “pritjen madhështore si asnjë tjetër” që i ishte bërë, Trump e ftoi Xi-në në Shtëpinë e Bardhë në shtator.

Xi shkoi më tej, duke thënë se "ringjallja e madhe e kombit kinez" dhe "Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe" mund të shkojnë dorë për dore.

Ai e përfundoi fjalimin e tij me një dolli për të ardhmen e Amerikës dhe Kinës: "Gëzuar"./BBC

Poll

MOS HUMB