
STOCKHOLM- Shkencëtari britanik Demis Hassabis ka fituar çmimin Nobel për Kimi për punën "revolucionare" mbi kërkimet për proteinat, që janë themelore në krijimin e jetës. Shkencëtari 48-vjeçar Hassabis, bashkëthemeloi kompaninë e inteligjencës artificiale Google DeepMind. Ai e ndau çmimin e tij së bashku me profesorët John Jumper dhe David Baker. Së bashku me ndihmën e inteligjencës artificiale, ata studiuan proteinat që gjenden në qelizat e trupit të njeriut.
Studimi i tyre, ka sjellë përparime të mëdha në mjekësi dhe krijuan një sistem softuer të quajtur AlphaFold2. Komiteti e quajti zbulim e tyre një "revolucion të plotë" në kimi dhe sistemi softuer përdoret nga më shumë se 200 milionë njerëz në mbarë botën.
Profesor Baker për krijimin e tij përdori aminoacide për të hartuar një proteinë të re, që ndihmoi në krijimin e proteinave të reja të përdorura në farmaceutikë, vaksina dhe mjete të tjera. Baker gjatë ceremonisë, tha se ndihej i nderuar për këtë vlerësim.
Proteinat janë themelore në krijimin e jetës së njeriut, pasi ato transmetojnë informacionin e ADN-së qelizore. Proteinat përbëjnë elementë strukturorë dhe motorikë në qelizat dhe ato shërbejnë si katalizatorë për pothuajse çdo reaksion biokimik që ndodh në qeniet e gjalla. Ky grup i jashtëzakonshëm funksionesh rrjedh nga një kod që specifikon një grup strukturash jashtëzakonisht të larmishme.
Në fakt, çdo gjen në ADN-në qelizore përmban kodin për një strukturë unike proteinike. Jo vetëm që këto proteina mblidhen me sekuenca të ndryshme aminoacide, por ato gjithashtu mbahen së bashku nga lidhje të ndryshme dhe palosen në një sërë strukturash tre-dimensionale. Forma e palosur, ose konformacioni, varet drejtpërdrejt nga sekuenca lineare e aminoacideve të proteinës. Studimi i proteinave të njeriut, ka ndihmuar në zhvillimin e mjekësisë dhe instrumenteve të saj.
Laureatët e Nobelit do të marrin çmimet e tyre në një ceremoni çmimesh në Suedi në dhjetor. Çmimet Nobel u krijuan nga shpikësi suedez Alfred Nobel, i cili vdiq në 1896. Fituesi merr edhe një shpërblim prej 11 milionë korona suedeze, ose gati 976,000 euro. Nga viti 1901 deri në vitin 2023, janë dhënë 114 çmime Nobel në Fiziologji ose Mjekësi. Pjesa tjetër e Çmimeve Nobel 2024 do të jepet gjatë gjithë javës. /ZËRI