GJERMANI- Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka reaguar në rrjetin social “X” pas një takimi virtual me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, të mbajtur të mërkurën e kësaj jave.
Merz u shpreh se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të bjerë dakord për një armëpushim në Ukrainë, duke i dhënë kështu fund armiqësive mes dy vendeve.
Nisur nga takimi që do të mbahet sot, në orën 21:30, mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për të gjetur një zgjidhje të mundshme për përfundimin e luftës katërvjeçare Rusi–Ukrainë, kancelari gjerman deklaroi se Evropa pret nga Rusia që ta marrë seriozisht këtë samit.
“Ne presim që presidenti Putin ta marrë seriozisht ofertën e presidentit Trump për dialog dhe, pas takimit në Alaska, të fillojë negociatat pa kushte me Ukrainën. Duhet të gjendet një rrugë drejt një paqeje që mbështet interesat themelore të sigurisë së Evropës dhe Ukrainës. Qëllimi duhet të jetë një samit ku do të marrë pjesë edhe presidenti Zelenskyy. Në samit duhet të arrihet një marrëveshje për armëpushim. Ukraina ka nevojë për garanci të forta sigurie. Ne qëndruam si një trup i vetëm ndërsa i përcollëm këto mesazhe të qarta presidentit Trump, përpara se ai të nisej për në Anchorage,” – deklaroi Friedrich Merz.
Takimi i sotëm do të mbahet në një bazë ajrore pranë Anchorage, ku të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues të Ukrainës, por pa prezencën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy./ZËRI/