
BRUKSEL- Bashkimi Evropian iu ka ofruar Shtetëve të Bashkuara Amerikane skemën tarifore “zero për zero”, lajmëroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke kërkuar të shmangë një luftë tregtare.
“Ne kemi ofruar tarifa zero për zero për mallrat industriale siç kemi bërë me sukses me shumë partnerë të tjerë tregtarë. Sepse Evropa është gjithmonë e gatshme për një marrëveshje të mirë. Kështu që ne jemi të hapur për bisedime”, tha ajo në një konferencë për shtyp së bashku me kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Store.
SHBA dhe BE iu afruan heqjes së tarifave industriale një dekadë më parë në diskutimet e tyre për TTIP, Partneritetin Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve, që përfundimisht u anulua nga Trump në mandatin e tij të parë. Heqja e tarifave për produktet industriale si makinat dhe kimikatet nuk shihej si e diskutueshme në atë kohë, produktet bujqësore dhe standardet e sigurisë ishin një temë shumë e nxehtë.
Oferta e rinovuar e Von der Leyen vjen pasi Trump javën e kaluar vendosi tarifa 20% ndaj BE-së dhe një morie partnerësh të tjerë tregtarë, duke i rritur barrierat tregtare të SHBA-së në nivelin më të lartë në më shumë se një shekull. Lufta tregtare e Trump ka shkaktuar panik investitorët, me tregjet financiare në të gjithë botën duke humbur triliona dollarë ose euro në vlerë. Aksionet evropiane pësuan rëniet e tyre më të mëdha njëditore që nga fillimi i pandemisë Covid të hënën.
Mes trazirave të tregut, Von der Leyen u shpreh se është gati për një marrëveshje.
“Ne jemi gati për të negociuar me SHBA-në”, tha ajo.
BE-ja vendosi tarifa mesatare prej vetëm 1.6% për produktet jo-bujqësore të SHBA-së, por ajo vendosi një tarifë më të lartë prej 10% për makinat e importuara amerikane, megjithëse SHBA është i vetmi vend i G7 që ende e paguan atë, sepse TTIP nuk ishte përfunduar.
Duke sqaruar, Komisioneri i Tregtisë së BE-së Maros Sefcoviç tha veçmas se marrëveshja zero për zero mund të mbulojë makinat dhe të gjitha mallrat e tjera industriale, të tilla si kimikatet, farmaceutikët, makineritë e gomës dhe plastike. Von der Leyen gjithashtu nuk përjashtoi hakmarrjen: Ne jemi gjithashtu të përgatitur të përgjigjemi përmes kundërmasave dhe të mbrojmë interesat tona.
27 ministrat e tregtisë të BE-së u takuan në Luksemburg më herët të hënën për të diskutuar masat e SHBA-së dhe përgjigjen e Komisionit. Ende pritet këtë javë hakmarrja e BE-së kundër tarifave prej 25% të Trump për çelikun dhe aluminin që kanë qenë në fuqi që nga muaji i kaluar. Šefčovich, duke folur me gazetarët pas takimit në Luksemburg, tha se Komisioni kishte përgatitur “një listë të fortë”.
Ndërsa, tregjet amerikane sot pësuan një rritje “jashtëzakonisht të çuditshme” për një kohë të shkurtër. Arsyeja, sipas disa raportimeve ishin spekulimet se një këshilltar i lartë i administratës Trump, që thuhet se ishte Drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar Kevin Hassett, kishte pretenduar se presidenti mund të konsideronte një pauzë 90-ditore të tarifave.
Fillimisht, këto raportime u publikuan nga media amerikane e lajmeve të biznesit CNBC. Por, pas kësaj reagoi edhe Shtëpia e Bardhë duke e quajtur se çdo informacion për një pauzë 90-ditore është “lajm i rremë”.
“Aksionet patën një rritje jetëshkurtër menjëherë pas hapjes që e çoi mesataren industriale të Doë Jones në territor pozitiv. Spekulimet për një pauzë tarifore qarkulluan në mes aksionerëve dhe mediat sociale dhe mund të kenë kontribuar në këtë shpërthim”, tha NCBC.
Cilado qoftë e vërteta, ky është një shembull i efektit që mund të kenë thashethemet në treg./ZËRI