NGUSHTICA E HORMUZIT- Gjatë 24 orëve të fundit janë rritur tensionet në Ngushticën e Hormuzit.
Teherani zyrtar ka njoftuar se katër anije janë ndaluar të kalojnë nëpër këtë kalim detar me rëndësi strategjike, ndërsa UKMTO britanike raportoi një incident në Gjirin e Omanit, ku u përfshinë tankerë dhe forca ushtarake.
Gjiri i Omanit, i njohur edhe si Deti i Omanit, është një gji detar që lidhet me Gjirin Persik përmes Ngushticës së Hormuzit. Ai shërben si një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit.
Garda Revolucionare Iraniane deklaroi se katër anijet ishin paralajmëruar të mos kalonin në Ngushticën e Hormuzit. Ende nuk bëhet e ditur se cilit shtet i përkasin këto anije.
Situata në një nga pikat më strategjike në botë për transportin detar vijon të mbetet problematike, duke treguar se pakti mes SHBA-së dhe Iranit, i cili kishte lejuar përkohësisht akses më të gjerë në transportin ndërkombëtar detar, nuk po zbatohet më./ZËRI