Bota

Thellohet ngërçi për presidentin në Kosovë: LDK s’pranon kandidat të VV-së, PDK vendos kushte

Pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të dy palët janë shprehur me qëndrime të ndryshme.

F.I
Thellohet ngërçi për presidentin në Kosovë:  LDK
FOTO ILUSTRUESE

KOSOVË-Situata politike në Kosovë mbetet e tensionuar, ndërsa përpjekjet për zgjedhjen e presidentit ende nuk kanë prodhuar marrëveshje mes partive kryesore. Pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të dy palët janë shprehur me qëndrime të ndryshme.

Kurti është shfaqur optimist për arritjen e një marrëveshjeje, duke deklaruar se “ka vullnet për të shmangur zgjedhjet dhe marrëveshja mund të ndodhë”. Në anën tjetër, Abdixhiku ka ritheksuar qëndrimin e tij se “një parti s’mund t’i ketë tri pozitat kryesore”, duke lënë të kuptohet se pa marrëveshje vendi mund të shkojë në zgjedhje. Ai ka përsëritur qëndrimin e LDK-së se presidenti i ri nuk duhet të jetë nga radhët e Vetëvendosjes.

“Çdo marrëveshje që siguron minimumin e votave të nevojshme është e mjaftueshme kushtetueshmërisht. Jo nuk kemi diskutuar ende emra konkretë siç e dini procesi është i nisur kemi dy kandidatura, LDK-ja vazhdon të besojë që të tri pozitat nuk mund t’i takojnë një partie politike”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vendosur kushte për një takim me Kurtin, duke kërkuar formalizim të ftesës dhe seriozitet institucional, shkruajnë mediat në Kosovë.

Kurti po ashtu ka kritikuar qasjen e PDK-së, duke vlerësuar se mungesa e emrave konkretë e bën të vështirë arritjen e një marrëveshjeje për presidentin. Ai ka theksuar se pa propozime konkrete, procesi mbetet i bllokuar.

Kritika ka pasur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Kreu i saj, Ramush Haradinaj ka akuzuar Kurtin për mungesë prioriteti në këtë proces, duke deklaruar se “nuk e ka pasur prioritet zgjedhjen e presidentit, prandaj po përfundojmë në zgjedhje”.

Kosova ndodhet përballë një afati të kufizuar për zgjedhjen e presidentit dhe, në mungesë të një marrëveshjeje politike, rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.

Poll

MOS HUMB