SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se do të dyfishojë tarifat e planifikuara për çelikun dhe aluminin kanadez nga 25% në 50%, duke përshkallëzuar luftën tregtare me fqinjin verior të SHBA-së. Trump thotë se rritja e tarifave që do të hyjë në fuqi të mërkurën është në përgjigje të rritjes së tarifave të vendosura nga qeveria provinciale e Ontarios për energjinë elektrike që i shitet Shteteve të Bashkuara.
Donald Trump, përmes një postimi në rrjetet sociale njoftoi se po vendos menjëherë një tarifë tjetër prej 25% ndaj Otavës për importet e çelikut dhe hekurit. Në fakt, Trump vë në dukje se 25%-i aktual do të implementohet nga nesër dhe do t'i shtohet 25% që vendosi sot. Në të njëjtin mesazh, Trump vazhdon me një apel për kanadezët, të cilëve u kërkon që të bëhen shteti i 51-të i SHBA-së, pasi sipas këtij, duke theksuar se tarifat do të zhduken.
Postimi i Trump:

Unë kam udhëzuar Sekretarin tim të Tregtisë që të shtojë një tarifë SHTESË 25% në 50%, për të gjithë Çelikun dhe ALUMININ QË VJEN NË SHTETET E BASHKUARA NGA Kanadaja. Kjo masë do të hyjë në fuqi NESËR në MËNGJES, më 12 Mars. Gjithashtu, Kanadaja duhet të heqë menjëherë Tarifën e Fermerit Anti-Amerikan. Së shpejti do të shpall një emergjencë kombëtare për energjinë elektrike. Nëse Kanadaja nuk do të ul tarifat e tjera skandaloze, unë do të rris ndjeshëm, më 2 prill, tarifat për makinat që vijnë në SHBA, të cilat, në thelb, do të mbyllin përgjithmonë biznesin e prodhimit të automobilave në Kanada. Ato makina mund të bëhen lehtësisht në SHBA! Gjithashtu, Kanadaja paguan shumë pak për Sigurinë Kombëtare, duke u mbështetur në Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen ushtarake. Ne po subvencionojmë Kanadanë në shumën prej më shumë se 200 miliardë dollarë në vit. PSE??? Kjo nuk mund të vazhdojë. E vetmja gjë që ka kuptim është që Kanadaja të bëhet shteti ynë i dashur i 51-të. Kjo do t'i zhdukte të gjitha tarifat dhe gjithçka tjetër. Taksat e kanadezëve do të zvogëlohen ndjeshëm, ata do të jenë më të sigurt, ushtarakisht. Himni juaj brilant, "O Kanada", do të vazhdojë të luhet, por do jeni një shtet i MADH dhe i FUQISHËM brenda Kombit më të madh që Bota ka parë ndonjëherë!
E gjitha nisi sepse kryeministri i Ontarios, lideri i provincës më të populluar të Kanadasë, njoftoi se nga e hëna do të tarifonte me 25% më shumë energjinë elektrike për 1.5 milionë amerikanë, në përgjigje të luftës tregtare të Presidentit të SHBA, Donald Trump. Ontario siguron energji elektrike në Minesota, Nju Jork dhe Miçigan.
“Nuk do të hezitoj ta rris këtë tarifë. Nëse Shtetet e Bashkuara përshkallëzojnë tarifat. Unë nuk do të hezitoj të mbyll plotësisht energjinë elektrike,"-tha kryeministri i Ontarios Doug Ford në një konferencë shtypi në Toronto. Zyra e Ford tha se rregullat e reja të tregut kërkojnë që çdo gjenerator që shet energji elektrike në SHBA të shtojë një tarifë shtesë prej 25%. Qeveria e Ontarios pret që ajo të gjenerojë të ardhura prej 300,000 dollarë kanadezë (208,000 dollarë) deri në 400,000 dollarë CA (277,000 dollarë) në ditë, "të cilat do të përdoren për të mbështetur punëtorët, familjet dhe bizneset e Ontarios".
Me tarifat 50% për çelikun dhe hekurin, Kanadaja bëhet padyshim vendi me tarifat më të larta amerikane në botë në këtë fushë dhe është e qartë se Zyra Ovale, pavarësisht reagimeve të vazhdueshme dhe kritikat, nuk ka ndërmend të dorëzohet për këtë çështje. Trump fillimisht vendosi tarifa 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika, por më pas i ndaloi ato deri më 2 prill. Ai pretendon se tarifat janë një përgjigje ndaj fluksit të papranueshëm të drogave të paligjshme dhe emigrantëve pa dokumente që shkojnë në SHBA nga dy vendet fqinje./ZËRI