
SHBA-Presidenti amerikan, Donald Trump shprehu gatishmërinë e tij për të zhvilluar një takim të përbashkët me Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskyun, nëse është e nevojshme.
"Tani për tani, po punojmë me Presidentin Putin dhe do të shohim se ku do të jemi. Do ta bëj, nëse është e nevojshme", u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë kur u pyet nëse do të merrte pjesë në një takim të përbashkët me Putinin dhe Zelenskyun, edhe nëse ai zhvillohet në Gjenevë.
Lidhur me refuzimin e tij për të vendosur sanksione ndaj Rusisë deri më sot, ai tha se po e bën këtë në mënyrë që të mos dëmtojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
Kur u pyet nëse besonte se Presidenti rus Vladimir Putin dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë, Trump u përgjigj:“Nuk mund t’ju them, por do t’ju njoftoj pas rreth dy javësh. Brenda dy javësh, do ta dimë shumë shpejt. Do ta zbulojmë nëse po tallet apo jo, dhe nëse po, do të reagojmë pak më ndryshe. Por do të duhen rreth një javë e gjysmë. Megjithatë, jam i zhgënjyer nga ngjarjet që ndodhën dy netë më parë, ku njerëz u vranë në mes të asaj që do t'i quanim negociata."