
TURQI- Kreu i opozitës turke Ozgur Ozel ka denoncuar keqtrajtimin e studentëve të arrestuar gjatë protestave pas burgosjes së kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu. Ozgur Ozel ka vizituar dje Ekrem Imamoglun në burgun e Silivrit, në perëndim të Stambollit, ku ndodhet në paraburgim që prej 23 marsit, dhe ka takuar për 8 orë studentë të mbajtur në të njëjtin burg.
“Këta studentë u keqtrajtuan, iu vunë duart pas shpine, u mbajtën nëpër korridore me orë të tëra pa u thënë askush se në cilin burg do të dërgoheshin. U fyen dhe u keqtrajtuan. Iu nënshtruan torturave psikologjike, por edhe shqelmave në fytyrë. Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore, por ne besojmë se nuk duhet të qëndrojnë në paraburgim edhe 18 apo 20 ditë para seancës së parë. Ata nuk kanë gjak në duar. Ne kemi shmangur dhe do të vazhdojmë të shmangim shënjestrimin e Policisë, nuk ka falje apo lehtësim për keqtrajtimin që po iu bëhet studentëve,"- paralajmëroi Ozgur Ozel, duke kërkuar që të ruhen provat "në mënyrë që, kur të vijë koha, të kërkohet llogari".
Ndërkohë të paktën 2,000 njerëz janë arrestuar dhe burgosur, por sipas burimeve, numri aktual është shumë më i lartë. Sindikatat e stafit të shërbimit shëndetësor publik njoftuan të shtunën se kishin hasur në abuzime gjatë arrestimit, ndalimit dhe procedurave gjyqësore.
Imamoglut, 54 vjeç, u arrestua kur CHP-ja po përgatitej për ta shpallur atë kandidat presidencial. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Turqi duhet të mbahen më 2028, por Erdogan, 71 vjeç, mund të shpallë zgjedhje të parakohshme për ta shmangur kufizimin prej dy mandatesh, nëse vendos të garojë përsëri./ZËRI