FRANCË- Më 11 nëntor 2025, në rrugën kombëtare nr. 9, pranë qytetit të Beziers në Francë, një shtetas shqiptar 40-vjeçar u ndalua për kontroll nga brigada e mbikëqyrjes së brendshme të doganave të Montpellier-it.
“Ky person po drejtonte i vetëm një automjet të tipit kamper, të marrë me qira në Gjermani”, shpjegon prokurori i Béziers, Arnaud Faugère.
“Gjatë kontrollit të automjetit, në çatinë e tij, nën dyshekun e vendosur aty, u zbuluan 35 pako të mbështjella me celofan dhe të mbyllura hermetikisht, që përmbanin kokainë.”
Sipas prokurorit, forcat e rendit sekuestruan gjithsej 38.5 kg kokainë, me një vlerë tregu të vlerësuar në 1.543.000 euro.
“I vendosur në ndalim policor, i dyshuari mohoi faktet e posedimit dhe transportit të lëndëve narkotike, duke deklaruar se automjeti që ai drejtonte nga Spanja drejt Gjermanisë ishte ngarkuar pa dijeninë e tij”, shton prokurori.
Drejtuesi i kamperit u paraqit më 14 nëntor 2025 para prokurorisë së Béziers për veprat penale të transportit, posedimit, blerjes dhe importimit të lëndëve narkotike, si dhe për shkelje doganore lidhur me mbajtjen e mallrave të rrezikshme për shëndetin publik.
“Në të njëjtën datë, ai u vendos në arrest me burg nga gjyqtari i lirive dhe ndalimit”, deklaron Arnaud Faugère.
“Shtetasi shqiptar, i cili deri atëherë nuk kishte pasur asnjë dënim nga drejtësia franceze, u gjykua më 22 dhjetor 2025 me procedurë të përshpejtuar nga Gjykata Penale e Béziers-it, e cila e dënoi me 5 vite burg efektiv, me vazhdim të paraburgimit, si dhe me ndalim hyrjeje në territorin francez për 5 vite dhe konfiskim të provave të sekuestruara”, njofton prokurori