OSLO- Princesha e Norvegjisë, Mette-Marit foli për herë të parë publikisht për marrëdhënien e saj me ish-financierin amerikan Jeffrey Epstein. Sipas Guardian, Mette-Marit ka deklaruar se është “manipuluar dhe mashtruar” nga Epstein. Dosjet e Epstein, të publikuara në janar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, tronditën Norvegjinë, duke përfshirë figura të larta të shoqërisë, përfshirë Mette-Marit, e cila shprehet se nuk kishte dijeni që Epstein ishte një abuzues seksual.
Parlamenti norvegjez votoi së fundmi për krijimin e një komisioni hetimor të pavarur për lidhjet midis Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë dhe Epstein. Në një intervistë 20-minutëshe për kanalin NRK, Princesha foli hapur për ato që i quan gabimet e saj.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të marr përgjegjësi për mosvlerësimin më të kujdesshëm të sfondit të tij dhe për të pranuar se u manipulova dhe mashtrua.”
Ajo shprehu mllef për viktimat e Epstein, duke thënë se ndjehet përgjegjëse për çdo gjë që mund t’i ketë dhënë legjitimitet mikut të saj të njohur.
Mette-Marit duket se përmendet pothuajse 1,000 herë në dosjet në shkëmbimet personale të email-eve midis viteve 2011 dhe 2014. Në një shkëmbim, Mette-Marit pyeti "nëse ishte e papërshtatshme që një nënë të sugjeronte dy gra të zhveshura që mbanin një dërrasë surfi për t’i vendosur në dhomën e djalit të saj 15-vjeçar?”
Pallati mbretëror ka lëshuar më parë një deklaratë në të cilën Mette-Marit tha se ajo kishte treguar “gjykim të dobët” dhe shprehu “keqardhje të thellë që kishte pasur ndonjë kontakt me Epstein”, por deri më tani ajo ka qëndruar e heshtur.
Pas shtatë javësh presioni në rritje - përfshirë edhe nga kryeministri Jonas Gahr Støre - ajo u ul për një intervistë 20-minutëshe me transmetuesin norvegjez NRK, të transmetuar të premten, së bashku me bashkëshortin e saj, princin e kurorës Haakon, në shtëpinë e tyre pranë Oslos, rezidencën mbretërore Skaugum.
“Unë jam nëna e një të riu i cili ka qenë në një situatë shumë të vështirë”, tha ajo për NRK. “Përveç kësaj, shëndeti im kërkon shumë pushim”.
Intervista u filmua të enjten, ditën e fundit të gjyqit të djalit të Mette-Marit, Marius Borg Høiby, i cili mund të dënohet me më shumë se shtatë vjet burg nëse shpallet fajtor për 39 vepra penale, përfshirë 4 përdhunime, të cilat ai i mohon. Princesha e kurorës vuan nga fibroza pulmonare, për të cilën ka të ngjarë të ketë nevojë për transplant të mushkërive./ZËRI