Bota

Urdhri i ri! Trump kërkon mbylljen e Departamentit të Arsimit në SHBA

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt tha se departamenti do të jetë shumë më i vogël se sa është sot

F.I
Urdhri i ri! Trump kërkon mbylljen e Departamentit të Arsimit në
Donald Trump

SHBA-Presidenti Donald Trump nënshkroi sot një urdhër ekzekutiv që fillon procesin e mbylljes të Departamentit të Arsimit. Trump e ka akuzuar departamentin për shpërdorim të dollarëve të taksapaguesve dhe promovim të eksperimenteve progresive sociale. Presidenti amerikan ka pohuar se “agjencia është e kotë”, duke sugjeruar se financimi i saj do të shpenzohet më mirë nga shtetet individuale. Ai përsëriti akuzat se SHBA-ja “shpenzon shumë më tepër para për arsimin se çdo vend tjetër dhe po ashtu shpenzon shumë më shumë para për nxënës se çdo vend tjetër”.

“Ne do të kthejmë arsimin, shumë thjesht, në shtetet ku i takon. Dhe kjo është një gjë popullore për t’u bërë, por shumë më e rëndësishmja është një gjë e arsyeshme për t’u bërë dhe do të funksionojë. Absolutisht, do të funksionojë”, tha Trump gjatë ceremonisë në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas urdhrit, heqja dorë nga departamenti do t’u ofronte fëmijëve dhe familjeve të tyre mundësinë për t’i shpëtuar një sistemi që po i dështon. Urdhri është pjesë e një fushate më të gjerë për të shkurtuar “shpenzimet e kota” dhe burokracinë e udhëhequr nga ‘Departamenti i Efiçencës së Qeverisë’ (DOGE) të drejtuar nga Elon Musk.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt tha se departamenti do të jetë shumë më i vogël se sa është sot dhe do të vazhdojë të administrojë kredi studentore dhe grante federale.

I krijuar në vitin 1979, departamenti kishte për detyrë të mbikëqyrë arsimin, të lëshojë grante dhe ndihmë studentore, si dhe të zbatojë politikat kundër diskriminimit në shkollat ​​e financuara nga qeveria federale. Trump ka argumentuar prej kohësh se ajo është bërë e kotë dhe e politizuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB