SHBA- Policia e Los Angeles njoftoi se Nick Reiner është “përgjegjës” për vdekjen e prindërve të tij, Rob Reiner dhe Michele Singer Reiner. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi rrethanat e vdekjes së çiftit Reiner.
Nick Reiner, 32 vjeç, mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht. Sipas të dhënave të mëparshme të burgut, ai ishte ndaluar me një garanci prej 4 milionë dollarësh. Nuk dihet ende nëse ka punësuar një avokat.
Trupat u zbuluan nga vajza e tyre, Romy Reiner, e cila banon përballë prindërve dhe kishte shkuar t’i vizitonte. Ajo kishte publikuar vetëm pak ditë më parë fotografi me të atin gjatë pushimeve, shoqëruar me një mesazh emocional për familjen.
Efektivët e policisë, mbërritën në banesën e çiftit në Brentëood rreth orës 15:40 të së dielës, ku më pas u konstatua se ata ishin viktima të një vrasjeje. Reiner u lokalizua dhe u arrestua rreth orës 21:15.

Çështja pritet t’i paraqitet Zyrës së Prokurorit të Qarkut të Los Anxhelosit për shqyrtim të martën. Zëdhënësi i familjes Reiner nuk ka komentuar.
Nick Reiner ka folur publikisht në të kaluarën për problemet e tij me varësinë nga droga. Në një intervistë të vitit 2016, ai pranoi se kishte hyrë për herë të parë në rehabilitim në moshën 15-vjeçare dhe se varësia e kishte çuar edhe në situata të vështira jetese, përfshirë periudha pa strehë. Prej vitesh ai është mbajtur larg vëmendjes publike.
Vdekja e Rob Reiner shënon humbjen e një prej figurave më të rëndësishme të industrisë së filmit amerikan. Ai u bë i njohur fillimisht si aktor në serialin legjendar “All in the Family”, përpara se të ndërtonte një karrierë të jashtëzakonshme si regjisor me filma ikonikë si This Is Spinal Tap, The Princess Bride, When Harry Met Sally dhe A Few Good Men. Ai ishte gjithashtu bashkëthemelues i Castle Rock Entertainment, kompania që qëndron pas sukseseve si Seinfeld dhe The Shawshank Redemption.
Michele Singer Reiner ishte producente dhe fotografe e njohur, e famshme edhe për fotografinë e Donald Trump që u përdor në kopertinën e librit Trump: The Art of the Deal. Çifti ishte i martuar që prej vitit 1989 dhe kishte tre fëmijë.
Në një deklaratë zyrtare, një përfaqësues i familjes tha: “Jemi thellësisht të tronditur dhe të pikëlluar nga kjo humbje e papritur. Kërkojmë privatësi në këtë moment jashtëzakonisht të vështirë.”/ZËRI