KOSOVË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur zyrtarisht përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Sipas Komisionit, fushata zgjedhore do të nisë nga 28 maji, ndërkohë që organizimi i zgjedhjeve do të kushtojë mbi 10 milionë e 800 mijë euro, saktësisht 10,887,186.445 euro. Lista e qendrave të votimit do të publikohet më 5 maj.
Për votuesit jashtë Kosovës, regjistrimi do të bëhet nga 6 deri më 17 maj, ndërsa votimi me postë do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor.
Në mbledhjen e të premtes, KQZ-ja mori vendim për caktimin e afateve dhe miratoi planin e aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, i cili përfshin, ndër të tjera: deklarimin e partive politike për pjesëmarrje/mospjesëmarrje në zgjedhje; deklarimin e partive politike për formimin e koalicioneve; aplikimin për certifikimin e subjekteve politike; dorëzimin e listave të kandidatëve dhe verifikimin e tyre; periudhën e fushatës zgjedhore; caktimin e qendrave të votimit, përfshirë përfaqësitë diplomatike; regjistrimin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës.
Zgjedhjet e parakohshme vijnë pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri të vendit.
Një ditë më parë, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, shpalli 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare – të tretat brenda rreth një viti e gjysmë.
Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit.
Shpërndarja e Kuvendit të martën nënkupton se zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme dhe 7 qershori ishte data e fundit e mundshme./ZËRI