
MAL I ZI- Dy persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur nga një shpërthim i ndodhur mëngjesin e sotëm në Cetinje. Sipas informacioneve të medias malazeze “Vijesti”, të vrarë kanë mbetur dy anëtarët e klanit kriminal "Skaljar", Petar Kalugjeroviq dhe Dragan Roganoviq.

Njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vend, ndërsa tjetri edhe pse u dërgua me urgjencë në spital, nuk u mbijetoi dot plagëve të marra. Por ende nuk dihet se cilët janë 3 të plagosurit, nëse kanë lidhje me viktimat, apo kanë qenë kalimtarë të rastit në momentin që ka ndodhur shpërthimi.

E njëjta media shkruan se Policia priste prej kohësh që diçka e tillë të ndodhte në Cetinje, pasi një numër i madh i anëtarëve të klaneve rivale ishin liruar nga burgu 6 muajt e fundit. Hetimi për ngjarjen ka nisur por dyshimet e para bien mbi bandën rivale, atë të "Kavaç", e cila kryesohet nga Radoje Zvicer.
Mafia malazeze është aktive në të gjithë Evropën, veçanërisht në Serbi me impakt të madh në kontrabandën e narkotikëve, kontrabandën e duhanit dhe trafikun e armëve. Klanet Kavaç dhe Skaljari janë deri tani më të spikaturit dhe që luajnë rolet kryesore të në ashtuquajturin kartel ballkanik. Klani i Kavaçit, e ka orgjinën nga fshati Kavaç i Kotorrit dhe udhëhiqet nga Radoje Zvicer. Ky klan dyshohet se është i afërt me pjesën tjetër të klanit Shariç dhe grupit kriminal Veljko Belivuk nga Serbia. Edhe Skajlarët vijnë nga Kotorri. Ky klan drejtohej nga Jovan Vukotiq, i cili u vra nga kundërshtarët në vitin 2022. Për aq kohë sa kanë ekzistuar të dyja këto grupe janë përplasur me njëra-tjetrën për territor./ZËRI