
ZVICËR- Policia është në kërkim të gjashtë personave që janë zhdukur pasi ishin ngjitur në mal për një tur skish. Skiatorët, pesë prej tyre anëtarë të së njëjtës familje, u zhdukën rreth malit Tête Blanche të shtunën në shtegun Zermatt-Arolla, pranë malit Matterhorn që shtrihet në kufirin midis Zvicrës dhe Italisë.
Policia tha se skiatorët e zhdukur ishin nga mosha 21 deri në 58 vjeç. Pesë i përkasin një familjeje nga kantoni Valais, ndërsa personi i gjashtë është nga kantoni i Friburgut. Sipas "TheGuardian", kërkimi ishte penguar nga kushtet "shumë të këqija" të motit që penguan shpëtimtarët të afroheshin pranë zonës ku ishin zhdukur 6 personat.
"Kushtet ... e bëjnë shumë të vështirë reagimin e urgjencës," tha Policia.
Në një deklaratë të mëvonshme, ata shtuan: Stuhia që shpërtheu në jug të Alpeve dhe rreziku i ortekëve ka penguar helikopterët dhe shpëtimtarët të afrohen në zonë. Zermatt është një vendpushim popullor skish dhe tërheq turistë nga e gjithë bota./ZËRI