
SHBA- Krimet e serbe gjatë luftërave në Ballkan do të diskutohen sërish në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Më 17 prill në një takim të mbyllur në OKB do të merret në shqyrtim një projekt rezolutë që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Mohimi i gjenocidit është kthyer në një problem për shoqërinë serbe, e cila gjatë viteve të fundit pretendon se ajo është pala më e dëmtuar nga luftrat në Ballkan dhe jo shtetet e tjera që kanë me dhjetëra mijë civilë të vrarë. Rezoluta përfundimtare ende nuk është miratuar dhe pritet që dokumenti të miratohet në fund të muajit maj.
Projektrezoluta e OKB-së bën thirrje për dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë dhe u kërkon anëtarëve të OKB-së që t’i ruajnë faktet e vërtetuara dhe të zhvillojnë programe të përshtatshme përmes sistemeve të tyre arsimore, në mënyrë që të parandalojnë ngjarje të tilla në të ardhmen.
Gjenocidi i Srebrenicës ose Tragjedia e Bosnjës është një krim lufte i zbatuar në korrik të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u vranë më shumë se 8,000 boshnjakë myslimanë, kryesisht burra dhe djem të moshës 12 deri 77 vjeç. Gjenocidi është zbatuar në rajonin e Srebrenicës nga Ushtria e Republikës Serbe (VRS) nën udhëheqjen e gjeneralit Ratko Mlladiç, duke përfshirë njësinë paraushtarake "Škorpioni", e cila ishte pjesë e Ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë, si dhe disa qindra vullnetarë grekë dhe rusë. Kjo masakër është quajtur gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Por edhe pse bëhet fjalë për një krim të ndodhur pak vite më parë, në Serbi kjo ngjarje mohohet ose relativizohet. Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik ka mohuar shpesh herë që serbët të kenë kryer krime ndaj civilëve.
/ZËRI