SHBA- Donald Trump e ka inkurajuar privatisht Ukrainën të përshpejtojë sulmet e thella në territorin rus, madje duke e pyetur homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy-n nëse ai mund të godiste Moskën nëse SHBA-të do të siguronin armë me rreze të gjatë veprimi. Detajet e kësaj bisede i ka zbuluar "Financial Times" duke iu referuar personave që kanë pasur informacion lidhur me diskutimet e dy presidentëve.
Biseda, e cila u zhvillua gjatë telefonatës së 4 korrikut midis udhëheqësve të SHBA-së dhe Ukrainës, shënon një ndryshim të papritur nga qëndrimi i mëparshëm i Trump ndaj luftës së Rusisë dhe premtimi i tij i fushatës për t'i dhënë fund përfshirjes së SHBA-së në konfliktet e huaja. Ndërsa mbetet e paqartë nëse Uashingtoni do të dorëzojë armë siç i përmend Trump, pra me rreze të gjatë veprimi, theksi bie tek zhgënjimi gjithnjë e më i madh i Trump me refuzimin e Presidentit rus Vladimir Putin për t'u angazhuar në bisedimet e armëpushimit të propozuara nga presidenti amerikan, i cili dikur u zotua ta zgjidhte luftën brenda një dite.
Biseda me Zelenskyy- n më 4 korrik u nxit nga telefonata e Trump me Putinin një ditë më parë, të cilën presidenti amerikan e përshkroi si “të keqe”. Dy persona të njohur me bisedën midis Trump dhe Zelenskyy thanë se presidenti amerikan e kishte pyetur homologun e tij ukrainas nëse ai mund të godiste objektiva ushtarake brenda Rusisë nëse ai ofronte armë të afta për ta bërë këtë sulm.
“Volodimir, a mund ta godasësh Moskën? . . . A mund ta godasësh edhe Shën Petersburgun?,”- pyeti Trump gjatë telefonatës, sipas burimeve. Ata thanë se Zelenskyy u përgjigj: Absolutisht. Mundemi nëse na jepni armët.
Trump sinjalizoi mbështetjen e tij për idenë, duke e përshkruar strategjinë si të destinuar për t’i “bërë ata [rusët] të ndiejnë dhimbje” dhe që t'i detyrojnë që të ulen për të negociuar. Shtëpia e Bardhë dhe zyra presidenciale e Ukrainës nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Dje, gjatë një takimi në Zyrën Ovale me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, të hënën, Trump njoftoi një plan për t'i siguruar Ukrainës sisteme mbrojtëse ajrore Patriot dhe raketa interceptuese, por nuk zbuloi ndonjë dërgesë për armë të tjera. Presidenti amerikan tha se ishte “shumë i pakënaqur” me Rusinë dhe presidentin e saj.
“Jam i zhgënjyer nga Presidenti [Vladimir] Putin, sepse mendova se do të kishim arritur një marrëveshje dy muaj më parë.”
Dmitry Medvedev, nënkryetar i këshillit të sigurisë së Rusisë dhe një ish-zëvendëspresident i Putinit, i hodhi poshtë pretendimet e Trump.
“Trump i dha një ultimatum teatral ndaj Kremlinit... Rusisë nuk i interesonte”, shkroi Medvedev në X.
Dy nga personat e informuar për telefonatën midis Trump dhe Zelenskyy dhe të njohur me diskutimet SHBA-Ukrainë mbi strategjinë ushtarake thanë se një armë e diskutuar ishte Sistemi i Raketave Taktike të Ushtrisë, ose Atacms. Ukraina ka përdorur raketa Atacms të furnizuara nga SHBA-ja me një rreze veprimi deri në 300 km (186 milje) për të goditur objektiva në territorin e pushtuar nga Rusia dhe, në disa raste, më thellë brenda Rusisë. Atacms mund të lëshohen nga sistemet raketore HIMARS që administrata Biden ia dorëzoi Ukrainës.
Por ato nuk fluturojnë aq larg sa të arrijnë në Moskë ose Shën Petersburg. Kur Ukraina përdori për herë të parë sistemin Atacms për të goditur objektiva ushtarake brenda territorit sovran rus nëntorin e kaluar, Putin tha se lufta kishte “marrë elementë të një natyre globale” dhe u përgjigj duke testuar Oreshnik, një raketë eksperimentale me rreze të mesme veprimi, në qytetin e Dnipros. Uashingtoni herë pas here e ka paralajmëruar Ukrainën që të mos i përdorë ata për të goditur godasë thellë brenda Rusisë, por këto kufizime duket se po lehtësohen tani.
Ukraina ka përdorur kryesisht dronët e saj me rreze të gjatë për të vepruar. Sulmi i saj më i guximshëm ndodhi në fillim të qershorit, kur shërbimi i sigurisë SBU i Ukrainës nisi një mori dronësh "kamikazë" duke hedhur në erë flotën e bombarduesve strategjikë të vendit./ZËRI