
SHKUP- Tragjedia në Koçanë mund të ishte shmangur! Policia maqedonase bastisi diskotekën “Puls” vetëm 15 minuta para se të shpërthente zjarri në të cilin humbën jetën të paktën 59 persona dhe mbi 150 të tjerë u plagosën rëndë. Ivica Vuçkov, djali i mitur i të cilit ndodhej në diskotekën e vdekjes, i ka treguar se Policia kishte hyrë në klub vetëm 15 minuta para se të shpërthente zjarri.
"Djali im ishte me shokë. Ai ka qenë pranë derës dhe ka parë kur Policia ka hyrë brenda dhe ka kontrolluar për të mitur dhe drogë. Ndaj edhe doli. Ka dalë rreth orës 2:30. Ai ishte me një grup njerëzish dhe donte të kthehej sepse një vajzë nga ai grup kishte mbetur brenda, por nuk mundi sepse kishte turmë te dera. Pas pesë a dhjetë minutash, u krijua kaos nga zjarri,"-tregon babai i të miturit. Dhe në fakt dëshmia e tij përputhet me faktin se viktimë ka mbetur edhe një efektiv i anti-drogës, që ndodhet në klubin e natës për të kryer detyrën.
Maqedonia e Veriut dhe Koçani janë të tronditura një ditë pas tragjedisë së disko, e cila la pas të paktën 59 të vdekur dhe më shumë se 155 persona të plagosur. Në qytetin e Koçanit mbizotëron heshtja, ndërsa banorët kanë ndezur qirinj në parkun e qytetit deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme për të vrarët nga zjarri në diskotekën “Puls”. Viktima më e re ishte vetëm 14 vjeç. Deri më tani janë ndaluar 15 persona, mes të cilëve edhe zyrtarë shtetërorë, ndërsa mbrëmë janë caktuar masa e paraburgimit për dhjetë persona. Disa nga të dyshuarit janë lënduar nga zjarri dhe ndodhen në spital./ZËRI