
PRISHTINË- Ambasadorët e pesë shteteve të QUINT-it; i SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuara, Gjermanisë, Italisë dhe Francës, aktualisht gjenden në Qeverinë e Kosovës. Ata po mbajnë takim me kryeministrin Albin Kurti, për zhvillimet e fundit në veri, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe dy të tjerë janë plagosur nga një grup terrorist që aktualisht po fshihet në manastirin e Banjskës.
Çfarë ka ndodhur në Kosovë?
Kosova është tronditur mëngjesin e kësaj të diele nga një sulm terrorist, që grupe kriminale që dyshohet se janë të lidhura me Serbinë i kanë bërë punonjësve të policisë në Leposaviq. Si pasojë e sulmit me armë dhe me mjete të tjera shpërthyese mbeti i vrarë reshteri i policisë Afrim Bunjaku, dhe u lënduan dy efektivë të tjerë. Deri tani janë vrarë 2 agresorë. Presidentja Vjosa Osmani ndërpreu vizitën e saj zyrtare në SHBA, ndërsa kryeministri Albin Kurti thirri menjëherë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. Pas mbledhjes Kurti ka deklaruar se më shumë se 30 persona të armatosur – profesionist ushtarakë dhe policorë serbë – po mbahen të rrethuar në manastirin e Banjskës, mes tyre pretendon se ka edhe forca Wanger. Kurti iu bëri thirrje atyre që të dorëzohen, ndërsa Serbia ende hesht./Zëri.ai