
KIEV- Ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbock e ndërpreu vizitën e saj në qytetin jugor të Ukrainës, Mykolaiv, pasi u zbulua se misioni i saj po ndiqej nga një dron zbulues rus. Lajmin e konfirmoi një zëdhënës i ministrisë. Më herët, anëtarëve të delegacionit të saj iu kërkua të ktheheshin me nxitim në mjetet e blinduara, edhe pse kishin shkuar së bashku me ministren për të vizituar ujësjellësin e qytetit.
Sipas revistës Der Spiegel, fluturime të tilla zakonisht pasohen nga sulme ajrore dhe për këtë arsye u vendos që Burbock dhe kolegët e saj të largoheshin sa më parë nga terreni. Megjithatë, droni rus vazhdoi të ndiqte makinat në lëvizje për pak kohë, por në asnjë moment nuk sulmoi.
Qyteti ndodhet afër frontit dhe në fillim të luftës porti i tij ishte një nga objektivat e parë të forcave ruse. Forcat ukrainase deri më tani kanë mundur të mbrohen me sukses, por së fundmi zona është përballur me sulme të shpeshta me dronë dhe raketa, ndaj edhe porti është mbyllur.
Të shtunën në mbrëmje, Burbock duhej të qëndronte për 20 minuta edhe në Odessa, por edhe atje u dha alarmi për një sulm ajror. Një shpërthim ndodhi në afërsi të qytetit, por ende nuk dihet se cili ka qenë objektivi dhe nëse ka viktima./ZËRI