
MOSKË- Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka mbërritur në Rusi, ku do të zhvillojë një takim me presidentin Vladimir Putin. Për shkak të rëndësisë së takimit të gjithë mediat botërore kanë kthyer sytë nga Moska, ndërkohë që deri më tani për shkak se bisedimet ende nuk kanë nisur, vëmendjen e ka marrë mënyra e transportit të diktatorit. Në përputhje me traditën e kahershme të liderit të Koresë së Veriut, Kim ka kaluar më shumë se 20 orë duke udhëtuar rreth 1,180 kilometra në një tren të tërhequr nga një lokomotivë e ngadaltë.
Treni ecën me shpejtësi rreth 50 kilometra në orë për shkak të mbrojtjes së rëndë të blinduar. Për krahasim, treni me shpejtësi të lartë të Londrës udhëton me një shpejtësi prej rreth 200 kilometra në orë, ndërsa trenat super të shpejtë të Japonisë Shikansen mund të arrijnë deri në 320 kilometra në orë.
Treni u quajt Taejangho, fjala koreane për "diell", një referencë simbolike për themeluesin e Koresë së Veriut, Kim Il Sung.
Përdorimi tradicional i trenave
Kim Jong Il, babai i Kim Jong Un, i cili sundoi Korenë e Veriut nga viti 1994 deri në vdekjen e tij në 2011, thuhet se udhëtoi me tren nga nevoja sepse kishte frikë nga fluturimi. Në vitin 2001, Kim Jong Il udhëtoi për 10 ditë në Moskë për një takim me Putinin. Komandanti ushtarak rus Konstantin Pulikovsky, i cili shoqëroi ish-udhëheqësin e Koresë së Veriut në atë udhëtim në vitin 2001, shkroi në kujtimet e tij për luksin e Orient Express.
“Ishte e mundur të porositej çdo pjatë ruse, kineze, koreane, japoneze apo franceze”.
Mediat koreano-veriore raportuan se Kim Jong Il vdiq nga një atak në zemër teksa udhëtonte me tren në vitin 2011. Në nëntor 2009, e përditshmja konservatore e Koresë së Jugut Chosun Ilbo raportoi se treni i blinduar kishte rreth 90 vagona.
Kim Jong Un mund të mos ndajë frikën e babait të tij për të fluturuar, pasi ai ka bërë disa udhëtime vetë me një avion privat të prodhuar nga Rusia. Por kur u takua për herë të fundit me Putinin në vitin 2019 - me gjasë hera e fundit që Kim udhëtoi jashtë vendit - ai gjithashtu shkoi me tren në Vladivostok në lindjen e largët të Rusisë.
Më pas zyrtarët e pritën me bukë e kripë tradicionale.
Përveç trenave, Kim është parë gjithashtu duke përdorur mënyra të tjera luksoze transporti që janë në kontrast të plotë me stilin e varfër të jetesës së popullit të Koresë së Veriut. Pasi është shkolluar në Zvicër, Kim Jong Un nuk është i panjohur për fluturimin. Në maj 2018, ai ndërmori fluturimin e tij të parë ndërkombëtar që nga ardhja në pushtet, në qytetin kinez Dalian, ku u takua me presidentin kinez Xi Jinping. Sipas raportimeve të mediave, ai ka përdorur më parë një avion privat për të udhëtuar brenda Koresë së Veriut.
Vëzhguesit koreano-veriorë nga faqja e internetit "NK News" thonë se vendasit e quajnë atë "Chamae-1", sipas llojit lokal të skifterit. Pjesa e bardhë e jashtme e avionit është e zbukuruar me emrin zyrtar të Koresë së Veriut në të dy anët, me flamurin kombëtar krahas tekstit. Në bisht është një yll i kuq në një rreth të kuq dhe blu.
Në mars 2018, Kim udhëtoi për në kryeqytetin kinez Pekin me tren, por përdori Mercedes-Benz S-Class të tij për të lëvizur nëpër qytet. Sipas të përditshmes koreano-jugore JungAng Ilbo, makina u transportua gjithashtu me tren.
Mediat shtetërore në Korenë e Veriut kanë treguar Kim duke hipur në anije, një nëndetëse, autobusë, por thuhet gjithashtu se ai përdor edhe mjete të tjera transporti. Kur media shtetërore publikoi foto të vizitës së tij në një stacion peshkimi, NK News vuri re një jaht në sfond.
Por ende nuk ka asnjë konfirmim se kujt i përket jahti, që vlerësohet se ka vlerën e 7 milionë dollarëve. Megjithatë, duke marrë parasysh çmimin, shumë media ndërkombëtare aluduan se diktatori është pronari më i mundshëm i mjetit lundrues.