Bota

Ankth në Lindjen e Mesme! Izraeli përgatitet për luftë, pritet hakmarrja për vrasjen e Ismail Haniya (REAGIMET)

Ditët dhe orët e fundit, Izraeli po përgatitet të përballet me një sulm me raketa dhe dronë nga Irani dhe Hezbollahu, si hakmarrje për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniya.

k.m.
Ankth në Lindjen e Mesme! Izraeli përgatitet për luftë,
Benjamin Netanyahu

TEL AVIV- Izraeli është në prag të luftës! Ky lajm u konfirmua nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili, sipas mediave izraelite, tha se ishte i vendosur për të zmbrapsur çdo sulm ndaj vendit të tij.

“Irani dhe kritikët e tij kërkojnë të na rrethojnë me një terror mbytës. Ne jemi të vendosur të qëndrojmë kundër tyre në çdo front dhe në çdo arenë – larg dhe afër. Gatishmëria jonë mbrojtëse është e lartë, qoftë në tokë apo në ajër. Kushdo që na lëndon do të paguajë një çmim shumë të rëndë,”- tha ai, duke i bërë jehonë fjalëve të ministrit izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallad.

Ditët dhe orët e fundit, Izraeli po përgatitet të përballet me një sulm me raketa dhe dronë nga Irani dhe Hezbollahu, si hakmarrje për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniya.

“Irani dhe Hezbollahu thjesht do të përpiqen të na lodhin,”- një zyrtar izraelit i tha rrjetit amerikan NBC News, duke theksuar se ka “presion të fortë nga SHBA-ja për të arritur një armëpushim në luftën Izrael-Hamas.

"Biden dëshiron që kjo të ndodhë gjatë mandatit të tij,"- vuri në dukje ai.

SHBA, Britania dhe Franca Spanja dhe Italia lëshuan thirrje të reja për qytetarët e tyre që të largohen nga Libani sa më shpejt të jetë e mundur.

Sulm i ri me raketa i Hezbollahut kundër Izraelit – Dy të plagosur

Një alarm u dha herët të hënën në Izrael pas sulmit të ri me raketa të Hezbollahut. Siç raporton Jerusalem Post, pasi u dëgjuan sirenat në Galilenë e Epërme, u pikasën disa objektiva ajrore të nisura nga Libani. Raketat u kapën nga Iron Dome, por një raketë ra në veri të Izraelit, duke plagosur një oficer të ushtrisë izraelite dhe një ushtar, të cilët u dërguan në spital.

PAMJET NGA SULMI:


G7 u bën thirrje të gjitha palëve të shmangin përshkallëzimin

Ministrat e Jashtëm të G7 diskutuan përmes një videokonference situatën në Lindjen e Mesme.

"Së bashku me partnerët tanë, ne kemi shprehur shqetësimin tonë të fortë për ngjarjet e fundit që kërcënojnë të çojnë në një zgjerim më të gjerë të krizës në rajon, duke filluar nga Libani,"- tha ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, vendi i të cilit mban presidencën e radhës në G7.

Deklarata e G7 bëri thirrje gjithashtu që të arrihet një marrëveshje për një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve, ndërsa përsëriti angazhimin e vendeve për të ofruar ndihmë humanitare për banorët e enklavës palestineze.

Blinken parashikon një sulm nga Irani dhe Hezbollahu sot ose nesër

Ndërkohë, shqetësimi i ri për situatën në Lindjen e Mesme është komentuar edhe nga Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken thuhet se u ka shprehur kolegëve të tij të G7 se Irani dhe Hezbollahu mund të nisin sulmin e tyre ndaj Izraelit brenda 24-48 orëve të ardhshme. Në të njëjtën konferencë, sipas tre burimeve të cituara nga Axios, Blinken shtoi se mbetet e paqartë se si do të goditen Irani dhe Hezbollahu.

Kreu i DASH amerikan u tha gjithashtu homologëve të tij se SHBA po bëjnë përpjekje për të thyer ciklin e përshkallëzimit duke u përpjekur nga njëra anë të kufizojnë sa më shumë goditjet kundër Izraelit dhe nga ana tjetër të frenojnë reagimin e Tel Avivit. Një nga burimet tha gjithashtu se Blinken ishte i zemëruar me dështimin e bisedimeve të fundit të armëpushimit në Gaza, duke thënë se Uashingtoni kishte një ndjenjë që një marrëveshje mund të arrihej mes palëve që para vrasjes së Haniya në Teheran.

Kaos në aeroportin e Bejrutit, libanezët largohen me nxitim

Kaosi ka përfshirë aeroportin e Bejrutit në Liban, pas rritjes së frikës për përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme. Qindra qytetarë po largohen sepse kanë frikë nga një luftë e gjithanshme midis Izraelit dhe Hezbollahut, ndërsa të tjerëve u janë anuluar fluturimet njëri pas tjetrit. Në sallën e nisjes, familje të tëra, me fëmijët në krahët e prindërve të tyre, shikojnë pirgjet e bagazheve dhe orarin, teksa shumica e fluturimeve janë të destinuara për në Stamboll, Aman dhe Kajro.

Irani dhe aleatët e tij në rajon kërcënuan me hakmarrje pas vdekjes së kreut të zyrës politike të Hamasit, Ismail Haniya, në Teheran të mërkurën e kaluar dhe një zyrtari të lartë të krahut ushtarak të Hezbollahut libanez, Fouad Shukr. Në të dyja rastet, Irani, Hamasi dhe Hezbollahu fajësuan Izraelin. Por deri më tani, Izraeli as nuk e ka pranuar sulmin dhe as nuk është distancuar prej tij. Izraeli nuk e di se çfarë të presë nga Irani dhe aleatët e tij dhe për këtë arsye po shqyrton një gamë të gjerë opsionesh për mënyrën më të mirë për t'iu përgjigjur ose parandaluar sulmin.

Operacionet ushtarake izraelite në shkallë të gjerë në Rripin e Gazës deri më tani kanë marrë jetën e të paktën 39,583 njerëzve, kryesisht civilë, sipas shifrave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë së Hamasit./ZËRI

Poll

MOS HUMB