
TIRANË- Lulzim Basha ka komentuar për herë të parë masën e sigurisë të vendosur ndaj kryedemokratit Sali Berisha. Në konferencën e tij për mediat, për herë të parë pas shumë kohësh, Basha tha se ka keqardhje në aspektin personal. Por "analizën" e bëri edhe në rrafshin politik, ku sipas tij, Berisha i ka sjellë shumë kosto Partisë Demokratike. Në fund, shtoi se drejtësia duhet të bëjë punën e saj. Gjithashtu, sqaroi edhe pse ai dhe deputetët që e mbështesin në Kuvend, nuk ishin ditën që Parlamenti dha "ok' SPAK-ut për të ashpërsuar masën e sigurisë ndaj Berishës.
PJESË NGA DISKUTIMET:
Arrestimi i Berishës, Basha: Kam 2 reagime, njëri në rrafshin personal. Natyrisht që nuk më vjen mirë që një njeri që kam bashkëpunuar për një kohë të gjatë, që ka dhënë kontributet e veta për vendin të përfundojë këtu. Çfarë kam pasur për t'i dhënë ia kam thënë, e dini se dhe ai e ka thënë publikisht përmbajtjen e këtij komunikimi për të mos ardhur deri këtu. por në fund secili bën zgjedhjen e tij në jetë dhe mban përgjegjësi. Kjo është njëra anë e kostos që sjellja e tij i solli të gjithëve. është kosto që ka marrë personalisht, familjes së tij, PD dhe vendit. Kam keqardhje të thellë që kjo të përfundojë kështu. është e domosdoshme që PD të eci përpara. Në çdo rast qëndrimi i PD është që drejtësia të bëjë punën e saj e papenguar dhe çdokush, duke nisur nga unë i pari, duhet të jemi në dispozicion për ço kufizim. Propozimi që kam dërguar është solid me një përvojë të vendeve të tjera, ku kërkohet edhe vullneti i deputetëve. Unë e konfirmoj timin dhe të deputetëve të PD. Bëhet fjalë për të gjitha ofezat që trajton SPAK.
Pse nuk shkuar në Kuvend për të hequr imunitetin ndaj Berishës?
Basha: Ne do të ishim në parlament për të marrë vendimet përkatëse, ka kohë që parlamenti nuk funksionin si i tillë. Atë ditë, parlamenti ishte në gjendjen e vetë më të rënduar. Ne kishin fjalë për të thënë, nuk mund të shkonim si duar që ngriheshin përpjetë në një ambient të intoksikuar. Qëndrimi ynë politik për çdo rast është i qartë./ZËRI