
LONDËR – Policia në Londër ka arrestuar aktivisten Gerta Thunberg. Aktivistja suedeze e klimës ishte bashkuar sot me aktivistë të tjerë, jashtë hotelit Inter Continental në Park Lane, ku po takoheshin drejtuesit e industrisë së naftës.
Protestuesit tentuan të bllokonin hyrjen në hotel. Imazhet në mediat sociale treguan se aktivistja 20-vjeçare u arrestua nga oficerët e policisë dhe u vendos në pjesën e pasme të një furgoni.
Në një deklaratë, Policia tha se u kishte vendosur kushte aktivistëve sipas nenit 14 të Ligjit për Rendin Publik, dhe u kishte kërkuar atyre të lëviznin nga rruga dhe trotuari.
Policia tha se një numër i konsiderueshëm protestuesish nuk zbatuan ligjin, gjë që rezultoi në gjashtë arrestime për pengim të autostradës, si dhe 14 arrestime të tjera për shkelje të seksionit 14.
Çfarë ndodhi sot në Londër?
Dhjetëra protestues bllokuan Hamilton Place, pranë Park Lane, në Londër, në të dyja skajet. Ata mbanin pankarta dhe çadra rozë dhe thërrisnin "anuloni konferencën", ndërsa disa ndezën flakë tymi të verdha dhe rozë.
Një gardh i bardhë rrethoi hyrjen e hotelit duke i mbajtur protestuesit jashtë, ndërsa policia fuste në ndërtesë pjesëmarrësit e konferencës, në një kohë që turma brohoriste.
Protesta e Londrës Free Fossil u organizua për ditën e parë të Forumit tre-ditor të Inteligjencës së Energjisë - i quajtur më parë Konferenca e Naftës - ku do të flisnin bosët e Shell dhe Total Energies.
Duke folur në tubim, Thunberg tha se po bëhen kompromise të rënda në kurriz të shëndetit të qytetarëve. “Pas këtyre dyerve të mbyllura në konferencën e Naftës, politikanët pa kurriz po bëjnë marrëveshje dhe kompromise me lobistët nga industritë shkatërruese - industria e karburanteve fosile. Njerëzit në të gjithë botën po vuajnë dhe po vdesin nga pasojat e krizës klimatike të shkaktuar nga këto industri", tha ajo.
Maja Darlington, nga Greenpeace në Mbretërinë e Bashkuar, tha se shefat e naftës po bëhen bashkë, duke menduar sesi të bëjnë më shumë para. "Shefët e naftës po ngrenë dolli me njëri-tjetrin në një hotel luksoz dhe po komplotojnë se si të bëjnë fitime edhe më të mëdha, ndërsa miliona njerëz përpiqen të rindërtojnë jetën, pas një vere me mot ekstrem”, deklaroi Darlington.
Personat që folën në konferencën e naftës përfshijnë shefat ekzekutivë të Aramco të Arabisë Saudite dhe Equinor të Norvegjisë. Po ashtu, aty foli ambasadori gjerman në MB dhe Graham Stuart, ministri i sigurisë së energjisë dhe i Britanisë./Zëri.ai/