
KOSOVË- Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar pak minuta më parë në lidhje me votimin pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës nga Asambleja Parlamentare këtë të martë. Përmes një postimi në Facebook, Osmani shkruan se ky është një moment historik për Kosovën ndërsa shtoi se kjo është dëshmi e përkushtimit të Prishtinës për drejtësi dhe barazi.
Vjosa Osmani: Sot Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian. Votimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë. Falënderim nga zemra të gjithë atyre që nëpërmjet votës PËR mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kauzën tonë për të drejta të njeriut. Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historike! Edhe një hap drejt anëtarësimit të plotë!
Një reagim ka ardhur dhe nga Kryeministri Albin Kurti. Ai shprehet se votimi i sotëm e afron Kosovën një hap më tej anëtarësimit në Këshillin e Europës. Sipas kreut të qeverisë nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.
Albin Kurti: Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë. Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut. Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve!
Një reagim ka pasur dhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj. Kreu i PD-së zyrtare Lulzim Basha, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Rithemelimit, Gazment Bardhi dhe ministri i Jashtëm, Igli Hasani.
Pas votimit të Asamblesë Parlamentare çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës. Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës./ZËRI