
ITALI- Si duket restorantet në Itali po përpiqen të stimulojnë klientët nëpërmjet shpërblimeve për të mos përdorur telefonin gjatë ushqimit. Një restorant në Verona në këmbim të një shishe vere u kërkon klientëve të lënë celularët në hyrje, të mbyllur në një sirtar, për të shijuar darkën duke parë edhe njëri-tjetrin në sy.
Angelo Lella, pronar i Al Condominio, një restorant që u hap në mars në Verona, tha se qëllimi është të inkurajojë klientët të flasin me njëri-tjetrin në vend që të jenë të “zhytur” në telefonat e tyre, raportojnë mediat vendase.
“Ne donim të hapnim një restorant që ishte ndryshe nga të tjerët. Ne zgjodhëm këtë formë. Klientët duhet të lënë teknologjinë pas duke shijuar kohë të këndshme së bashku.Teknologjia po bëhet problem, nuk ka arsye ta shikoni telefonin tuaj çdo pesë sekonda, por për shumë njerëz është si një drogë. Por ata kanë mundësinë ta lënë mënjanë dhe të pinë verë të mirë”, tha ai.
“Të gjithë në tavolinë, por pa celularë” është tashmë një slogan që ka kohë që po bëhet gjithnjë e më popullor, jashtë vendit, por edhe në Itali, nga Veriu në Jug dhe mund të gjendet i shkruar në hyrje të ambienteve apo edhe në fund të menusë./ZËRI