
TEL AVIV - Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken është kthyer sërish në Izrael. Kjo është vizita e tij e dytë në Tel Aviv, brenda javës. Ai zhvilloi bisedime sot me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, lidhur me përshkallëzimin e konfliktit me Hamasin.
Gjatë takimit, Blinken u informua mbi situatën në terren. Ai ripohoi mbështetjen e tij për Izraelin për t'u mbrojtur nga Hamasi dhe gatishmërinë e SHBA-së për të ndihmuar vendin.
Blinken dhe Netanyahu diskutuan gjithashtu koordinimin e SHBA-ve me OKB-në dhe partnerët rajonalë për të ndihmuar në ofrimin e ndihmës humanitare për civilët. Takimi vjen pasi kriza humanitare në Gaza po arrin një pikë kritike, me ujin, ushqimin dhe furnizimet mjekësore, që po shkojnë drejt fundit.
Më shumë se 2700 palestinezë janë vrarë dhe 9700 të tjerë janë plagosur në Gaza në sulmet hakmarrëse të Izraelit.
Hamasi është një grup militant palestinez që ka sunduar Rripin e Gazës që nga viti 2007. Ai është cilësuar si një organizatë terroriste nga SHBA dhe qeveritë e tjera perëndimore.
Më shumë se 1400 njerëz u vranë në Izrael, kur militantët e Hamasit kaluan në Izrael nga Rripi i Gazës, për të sulmuar civilët dhe ushtarët./Zëri.ai/