
JORDANI - Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka takuar presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas, në Jordani.
Abbas, i cili është aktualisht në Bregun Perëndimor, është një rival politik i Hamasit, që sundon Rripin e Gazës.
Blinken do takohet gjithashtu me Mbretin e Jordanisë Abdullah, në Aman. Dje ai ishte në Izrael për bisedime me kryeministrin Benjamin Netanyhau, ku pa foto të tmerrshme të fëmijëve të vdekur, të vrarë nga Hamasi.
Kauza e Palestinës ka njohur mbështetje në vendet me popullsi dërrmuese myslimane. Mijëra irakianë janë mbledhur në Bagdad, në mbështetje të palestinezëve në Gaza.
“Ky tubim synon të dënojë atë që po ndodh në Palestinën e pushtuar, gjakderdhjen dhe shkeljen e të drejtave të njeriut”, tha Abu Kayan, një nga organizatorët për agjencinë e lajmeve AFP.
Ky është vetëm një nga disa tubime të planifikuara për sot në të gjithë Lindjen e Mesme, pasi figura të larta të Hamasit dhe Hezbollahut, bënë thirrje që njerëzit të protestojnë pas lutjeve të së premtes.
Ish-udhëheqësi i Hamasit, Khaled Meshaal, u bëri thirrje dje njerëzve që të shkonin në sheshe dhe hapësira të hapura në të gjithë botën arabe dhe islame, për të mbështetur kauzën palestineze.
Sot priten disa tubime si në Liban, Tunizi dhe Jordani. Forcat e sigurisë po përgatiten gjithashtu për trazira të mundshme në xhaminë al-Aksa në Jerusalemin Lindor./Zëri.ai/