SHBA- Harold Dillard ishte 56 vjeç kur në nëntor 2009 iu diagnostikua një kancer agresiv në bark. Ish-mekanik makinash dhe “njeriu i punëve të shtëpisë”, tipik teksan me kapele kauboji dhe xhinse, ai shpejt përfundoi në kujdes intensiv.
Në ditët e fundit, teksa po përballej me fundin, e vizitoi një kompani e quajtur Bio Care. Ata i propozuan që të dhuronte trupin për shkencën mjekësore, për t’u përdorur nga mjekët në praktika kirurgjie, si zëvendësimi i gjurit. Kompania i premtoi se pjesët e trupit që nuk do të përdoreshin do të digjeshin dhe hiri do t’i kthehej familjes falas.
“Syte iu ndriçuan,” kujton vajza e tij, Farrah Fasold. “Ai e pa si një mënyrë për të lehtësuar barrën tonë financiare dhe emocionale. Ishte gjesti i fundit altruist që mund të bënte.”
Harold Dillard vdiq në prag të Krishtlindjes. Brenda pak orësh, një makinë e Bio Care mori trupin nga hospice.
Por vetëm disa muaj më vonë, Farrah mori një telefonatë të tmerrshme nga policia: kishin gjetur kokën e babait të saj. Në magazinën e Bio Care, hetuesit gjetën më shumë se 100 pjesë trupore nga 45 persona të ndryshëm. Sipas raportit të policisë, trupat dukeshin të ishin copëtuar me mjete të rënda, si sharra elektrike.
“E kisha imagjinuar që trupi i babait tim do të trajtohej me respekt,” thotë Farrah, “por në vend të kësaj, ai u masakrua.”
Ajo shton: “Mbyllja sytë dhe shihja kova të mëdha të kuqe me pjesë trupash. Pata pagjumësi për muaj me radhë.”
Kompania, përmes avokatëve, mohoi keqtrajtimin e trupave, por u mbyll dhe pronarët nuk janë më të arritshëm për koment.
Ky ishte kontakti i parë i Farrah me botën e ashtuquajturve “body brokers”, kompani private që blejnë ose marrin trupa, i copëtojnë dhe i shesin me pjesë, shpesh për qendra kërkimore mjekësore.
Kritikët e quajnë këtë fenomen një formë moderne grabitjeje varresh. Por mbrojtësit thonë se pa këto kompani, universitetet, të cilat gjithmonë kanë mungesë trupash për kërkime dhe mësimdhënie, nuk do të mund të plotësonin nevojat.
Që nga shekulli i 19-të, kur mjekësia moderne u zhvillua, shumë njerëz të prirur nga shkenca e kanë parë trupin e tyre si një dhuratë për edukimin e mjekëve.
Brandi Schmitt, drejtoreshë e programit të dhurimit të trupave në Universitetin e Kalifornisë, thotë se vetëm vitin e kaluar ata morën 1,600 dhurime trupash të plota. Lista e personave të gjallë që kanë regjistruar vullnetarisht trupin e tyre arrin në gati 50 mijë.
Shumë njerëz e bëjnë për altruizëm, shpjegon Schmitt: “Janë të arsimuar, ose e shohin si një kontribut në edukim.”
Por ekziston edhe një faktor financiar: funeralet janë shumë të shtrenjta në SHBA. Për disa familje, fakti që trupi merret falas nga kompania dhe ofrohet edhe kremacion pa pagesë, është një arsye shtesë për t’u tunduar nga dhurimi.
Si shumica e fakulteteve të mjekësisë, Universiteti i Kalifornisë nuk përfiton financiarisht nga programi i dhurimit të trupave dhe ka rregulla shumë të rrepta për mënyrën se si duhet trajtuar një kufomë.
Por në dekadat e fundit, në SHBA është shfaqur diçka më kontroverse: një rrjet biznesesh private me qëllim fitimi, që veprojnë si ndërmjetës. Ato marrin trupa nga individët, i copëtojnë dhe i shesin me pjesë. Popullarisht njihen si “body brokers”, megjithëse vetë kompanitë preferojnë termin “banka indi jo-transplant”.
Klientët e tyre janë të ndryshëm: disa universitete që përdorin kufoma për të trajnuar mjekë, të tjera kompani inxhinierie mjekësore që përdorin gjymtyrët për të testuar produkte, si proteza ose implante të reja.
Ndërsa tregtia për fitim e pjesëve të trupit është praktikisht e ndaluar në Britani dhe në shumicën e vendeve evropiane, në SHBA rregullat më të lirshme i kanë lejuar këto kompani të lulëzojnë.
Hetimi më i madh mbi këtë industrim i kryer nga gazetari i Reuters, Brian Grow, në vitin 2017 – identifikoi 25 kompani të tilla në SHBA. Një prej tyre fitoi 12.5 milionë dollarë në vetëm tre vjet nga tregtia e pjesëve trupore.
Disa kompani respektohen dhe pretendojnë se ndjekin udhëzime etike strikte. Por të tjera janë akuzuar për mungesë respekti ndaj të vdekurve dhe për shfrytëzimin e njerëzve të brishtë që ndodhen në zi.
Sipas autores Jenny Kleeman, e cila ka hulumtuar për vite këtë temë në librin The Price of Life, tregtia është rritur për shkak të boshllëqeve ligjore në SHBA.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Ligji për Indet Humane (Human Tissue Act) e bën pothuajse të paligjshme përfitimin nga pjesët e trupit. Por në SHBA, një ligj i ngjashëm nuk ekziston. Uniform Anatomical Gift Act ndalon shitjen e indeve njerëzore, por lejon të ngarkosh një “tarifë të arsyeshme” për “përpunimin” e pjesëve të trupit.
Këto hapësira ligjore e kanë kthyer SHBA-në në një eksportues global të kufomave. Një nga tregtarët më të mëdhenj amerikanë dërgoi pjesë trupash në më shumë se 50 vende, përfshirë edhe Britaninë.
“Në shumë vende ka mungesë dhurimesh trupash,” thotë Kleeman. “Dhe burimi kryesor prej nga ku furnizohen është Amerika.”
Nuk ka një regjistër zyrtar të këtyre brokerëve dhe statistikat zyrtare mungojnë. Por Reuters llogariti se nga viti 2011 deri më 2015, brokerët privatë në SHBA morën të paktën 50 mijë trupa dhe shpërndanë mbi 182 mijë pjesë trupore./ZËRI