
EUROPË- Stuhia Boris ka shkaktuar dëme në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke e çuar në 7 numrin e viktimave. 5 persona kanë humbur jetën në Rumani, në rajonin e Galatit, ku përmbytjet kanë shkatërruar mijëra shtëpi. Një tjetër person u mbyt në Poloni, në rajonin Klondzko, ku autoritetet kanë evakuuar 1600 banorë për shkak të përmbytjeve.
Në Austri, një zjarrfikës humbi jetën teksa po ishte në kryte të detyrës në Austrinë e Poshtme, zonë që ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Autoritetet kanë kryer mijëra operacione për të shpëtuar qytetarët e bllokuar në shtëpitë e tyre, ndërsa u raportuan ndërprerje në shërbimet e trenave dhe metrosë. Në Poloni, lumenjtë dolën nga shtrati duke bërë që disa zona të mbulohen nga uji. Një person u mbyt në Kłodzko, në jugperëndim të vendit dhe 1600 njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre.
“Situata është dramatike, veçanërisht në Kłodzko,”- u tha gazetarëve sot kryeministri i vendit, Donald Tusk, pas takimit me komitetin e menaxhimit të krizave. Rreth 17,000 familje në këtë krahinë kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa lidhjet e telefonisë celulare janë ndërprerë në disa zona.
Një pjesë e Kłodzkos, një qytet me 25,000 banorë, është nën ujë, ndërsa lumi u ngrit në 6.65 m, shumë mbi shenjën paralajmëruese 2.40 m dhe duke tejkaluar rekordin e vendosur në përmbytjet e rënda në 1997, kur një pjesë e qytetit u shkatërrua dhe 56 njerëz humbën jetën.
“U bëj thirrje banorëve të bashkëpunojnë me shërbimet e shpëtimit në zonat ku lëshohen njoftimet për evakuim,”- tha Tusk.
Në qytetin historik të Glucholazi, provinca Opole, kryetari i bashkisë urdhëroi një evakuim të detyrueshëm të banorëve pasi edhe atje lumi po del nga shtrati.
Në Rumani, autoritetet kanë konfirmuar pesë vdekje dhe mijëra shtëpi janë dëmtuar, veçanërisht në rajonin Galați. Operacionet e shpëtimit vazhdojnë, ndërkohë që mijëra qytetarë janë larguar tashmë nga banesat e tyre. 700 shtëpi u përmbytën vetëm në fshatin Slobozia Konaci.
"Po ndodh një fatkeqësi me përmasa epike. Ne kishim përmbytje edhe 11 vite më parë, por nuk ishte aq keq,"- tha kryetari i rajonit, Emil Dragomir.
Presidenti rumun Klaus Iohannis, përmes një deklarate, ka dërguar ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.
“Edhe një herë jemi përballur me efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat po ndjehen gjithnjë e më shumë në kontinentin europian,”- tha kreu i shtetit duke shtuar: Ne duhet të vazhdojmë të presim ngjarje ekstreme të motit.
Autoritetet e vendit raportuan dje, të shtunën, se reshjet e 24 orëve të fundit ishin më të dendurat e 100 viteve të fundit.
Në Republikën Çeke janë mobilizuar 100 mijë zjarrfikës për shkak të përmbytjeve dhe rreth 50 mijë familje kanë mbetur pa energji.
Policia lokale njoftoi se katër persona janë të zhdukur: tre të cilët ndodheshin në një automjet që u përfshi nga ujërat e lumit në qytetin Lipova-Laznie, dhe një tjetër në pjesën juglindore të vendit.
Gjendje e jashtëzakonshme u shpall edhe në Bratislavë, kryeqyteti i Sllovakisë. Moti i keq është shtuar nga rënia e menjëhershme e temperaturave, ku rajoni i Tirolit të Austrisë ka parë edhe reshje bore, një dukuri e rrallë për mesin e shtatorit./ZËRI